E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 14:14

Shëndetësi

Ligji për të verbrit, i pazbatueshëm

Artikujt e ndërlidhur

Sfidat e të verbërve

Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me të parë të dobësuar. Këta persona ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, por infrastruktura rrugore është një ndër problemet që i mundon dhe ua kufizon lëvizjen e lirë me shkop, vlerësojnë përfaqësues të Shoqatës së të verbërve dhe me të parë të dobësuar në Kosovë.

Komuniteti i të verbërve kërkon mbështetje ligjore

Disa organizata joqeveritare në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet kosovare që të përgatisin infrastrukturën ligjore lidhur me statusin e personave të verbër në Republikën e Kosovës, pasi, sipas tyre, gjendja e këtij komuniteti është alarmante.
Ligji për personat e verbër është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit të kaluar. Por ky ligj nuk po gjen zbatim në vendin tonë.

Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me të parë të dobësuar.

Këta persona ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, por infrastruktura rrugore është një ndër problemet që i mundon dhe ua kufizon lëvizjen e lirë me shkop, vlerëson kjo kategori e shoqërisë. 

Për jetën e tij të përditshme, telashet dhe sfidat, si dhe mos zbatimin e ligjit, për Radion Evropa e Lirë, rrëfen edhe Ejup Rashica, i verbër.

"Dua të them që personat e verbër kanë probleme të natyrave të ndryshme, duke filluar nga infrastruktura, mungesa e zbatimit të ligjit për të verbër, etj. Semaforët akustikë të cilët duhet të jenë të sinjalizuar dhe të shenjëzuar me alfabetin e brajllit, dhe që do të ishte një ndihmesë. Ndërkaq, ligji për të verbrit edhe pse është aprovuar, ende nuk është bëtë implementimi i tij dhe ai ligj nuk realizohet", bën të ditur Rashica.

Por, zoti Rashica nuk e ka fatin e shumë të verbërve në Kosovë, të cilët janë të varur financiarisht, qoftë nga familjarët apo detyrimisht i bën të verbrit t’iu nënshtrohen skemave sociale.

Ai punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, derisa shton se çasja në punësim për të verbrit në përgjithësi është shumë e vështirë.

"Unë punoj në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Këto janë raste të rralla që të verbrit gjejnë punë por shpresoj se me implementimin e ligjit edhe të verbrit do të gjejnë veten dhe do të integrohen në shoqëri. Qasja në punësim është shumë problematike, sidomos duke e pasur parasysh që kryeqyteti nuk e ka të zgjedhur infrastrukturën për të verbrit", shprehet ai.

Bujar Kadriu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, njëherësh me të parë të dobësuar, thotë se sfidë e madhe e personave të verbër është diskriminimi, që, sipas tij, është element shumë negativ.

"Situata e të verbërve në Kosovë nuk është aspak e favorshme për shkak shumë barrierave që kanë krijuar me këta qytetarë. Ligji ekzistues nuk ka qenë aspak i favorshëm për këtë kategori, por shpresoj që në bashkëpunim me gjithë akterët që janë duke kontribuar në relacion për  përmirësimin e personat e verbër".

"Ne kemi miratu ligjin dhe i cili është i krahasueshëm me gjitha ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut,  dhe është i krahasueshëm me vetë konventën e OKB-së dhe mendoj se ky ligj do të mbulojë të gjitha mangësitë që ligji për të verbrit nuk i ka pasur deri tani. Por ligjet te ne po mbesin në letër, derisa zbatimi i tyre po është i vështirë", thekson Kadriu për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të kryeministrisë, thonë se edhe pse ligji ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, deri tani janë përgatitur aktet nënligjore dhe së shpejti pritet që ky ligj të fillojë të implementohet.

Habit Hajredini nga kjo zyre jep hollësi të tjera.

"Ligji që 6 muaj ka hyrë në fuqi dhe tash pritet të nxirren akte nënligjore në mënyrë që të implementohet. Ne kemi punuar dhe tash jemi duke e formuar komisionin mediko-social dhe do të përcaktojë rregullat dhe standardet që personat e verbër do të përfitojnë. Personat e verbër do të marrin nga 100 euro ne muaj", thotë ai.

Sidoqoftë, kryetari i  shoqatës së të verbërve shpreson se gjatë këtij viti ligji do të fillojë të implementohet dhe të verbrit do të mund të përfitojnë më shumë nga ai.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum