Ndërlidhjet

Përfitimet nga dialogu në procesin e integrimeve evropiane


BE
BE
Rezultati eventual pozitiv i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do t'u sillte të dyja vendeve përfitime të mëdha në drejtim të integrimeve evropiane, vlerësojnë njohësit e rrethanave integruese evropiane në vend.

Emrush Ujkani, njohës i të drejtës së Bashkimit Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i dialogut i pretenduar nga institucionet e Kosovës, do t’ia mundësonte vendit plotësimin e kriterit të parë politik, shumë domethënës, të Kopenhagës.

“Kosova, më në fund, përmes këtij dialogu, përmes këtyre negociatave, do të arrinte të krijonte një stabilitet të brendshëm politik. Kur e them këtë, e kam parasysh integrimin dhe vendosjen e rendit kushtetues dhe juridik gjithandej territorit të Kosovës. Së paku, ky është synimi i institucioneve tona dhe mendoj që ky është edhe vet interesi i Bashkimit Evropian".

"Prandaj, nëse nisemi nga kjo perspektivë, mendoj se Kosova do të plotësonte një diçka që është pjesë e kriterit politik, asaj që është kriter politik i Kopenhagës dhe ky është benefiti, mendoj, shumë i rëndësishëm që do ta fitonte Kosova në këtë aspekt”, shprehet Ujkani.

Ai thekson se e gjithë kjo do ta plotësonte këndvështrimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, e cila që nga tetori i vitit të kaluar ka filluar të gravitojë në hartën e Bashkimit Evropian si një entitet ligjor që mund të ketë aftësi për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me të.

Njohësi tjetër i rrethanave dhe aspekteve integruese evropiane, Shenoll Muharremi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që rezultati i dialogut Kosovë- Serbi do të jetë i ndërlidhur me çështjen e avancimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Ju e keni parë që komisionari për zgjerim, zoti Stefan Fule, herën e fundit ka bërë ndërlidhje të drejtë për drejtë në mes të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe arritjes së marrëveshjes në dialog me Serbinë".

"Fatkeqësisht kjo është shndërruar në një kusht dhe një marrëveshje eventuale në dialog, i hapë rrugën jo vetëm Serbisë, por edhe Kosovës që t’i fillojë negociatat dhe të avancojë drejt Bashkimit Evropian. Është hap përpara, në aspektin që fillojnë negociatat dhe eventualisht të përfundojnë dhe Kosova e nënshkruan marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, e cila do ta çimentonte rrugëtimin e saj”, thekson Muharremi.

Vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, që pritet të burojë si rezultat, në rast të një epilogu pozitiv të dialogut Kosovë- Serbi, sipas Ujkanit, do t’ia përforconte Kosovës rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Vendosja e marrëdhënieve kontraktuale, respektivisht, nënshkrimi i MSA-së, do ta vendoste procesin jo më vetëm në vullnet të njëanshëm, por do ta vendoste në një proces i cili e obligon Kosovën në atë marrëveshje dhe e vendos BE-në si një mbikëqyrës më konkret në të gjithë ecjen e Kosovës në drejtim të përmbushjes së këtyre obligimeve".

"Natyrisht, rëndësia tjetër është që, në mënyrë definitive, për Bashkimin Evropian, Kosova do të ishte një subjekt juridik më vete, i cili mund të trajtohet me seriozitetin e plotë”, shprehet Ujkani.

Por, megjithatë, Muharremi shpreh mendimin se, pavarësisht rezultateve në dialog dhe përfitimeve që mund të dalin nga ky dialog në kuptimin e integrimeve evropiane për Kosovën, kjo e fundit duhet t’i kryejë, siç i quajti ai, detyrat e shtëpisë.

Deri më tash, nuk kemi parë interesim nga qeveria dhe autoritetet tjera që t’i zbatojnë reformat, por më tepër janë fokusuar në përparim në fillim të negociatave dhe në MSA, e cila, fundja, është marrëveshje tregtare. Dhe që të mund të kemi benifite, ne duhet të pasim biznese që kanë kapacitete që të eksportojnë në BE, në mënyrë që ta rrisin punësimin dhe ekonominë e Kosovës".

"Një gjë e tillë nuk po ndodhë. Do të thotë, bizneset nuk po përkrahen. Kështu që, më shumë është një qasje ma shumë në aspektin e avancimit drejt BE-së, pa fokus në zbatimin e reformave, të cilat do të kishin dhënë rezultate të drejtë për drejta për qytetarin dhe bizneset e Kosovës”.

Ndryshe, përmbushja e të gjitha kritereve të cilat i ka vënë Bashkimi Evropian për Kosovën, do të marrin shumë kohë, vlerësojnë njohësit e rrethanave integruese.

Sipas tyre, në fazën e tanishme, koha nuk mjafton për të përqendruar vëmendjen vetëm për të kërkuar fajtorët për gjendjen e krijuar në vend, por duhet rrekur punës për të plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG