Ndërlidhjet

Mjekja që do të shërojë Ukrainën


Olha Bohomolets
Olha Bohomolets
Mjekja e njohur ukrainase, Olha Bohomolets, thotë se vendi i saj është “i sëmurë rëndë”. Dhe ajo është e vendosur që të kujdeset për të.

Bohomolets, e cila ka kaluar disa muaj duke trajtuar protestuesit e plagosur antiqeveritarë në Kiev, garon për presidente të Ukrainës në zgjedhjet e 25 majit, me premtimet për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të rritur transparencën e qeverisë.

“Sot kemi një armik të jashtëm shumë të fuqishëm. Por, po ashtu kemi një armik të brendshëm që është po ashtu i fuqishëm. Emri i tij është korrupsion. Ne duhet të ringjallemi dhe ta shërojmë Ukrainën”, thotë Bohomolets për Radion Evropa e Lirë.

Bohomolets, 48 vjeçe, thotë se qeveria që ka lindur nga protestat e Euromaidanit nuk jetëson pritjet e ukrainasve të rëndomtë që kanë ndihmuar në rrëzimin e Viktor Yanukovychit nga pushteti.

Sipas saj, qeveria e përkohshme nuk është e gatshme të godasë zyrtarët e korruptuar.

Si presidente, Bohomolets zotohet se do të mbështesë në mënyrë dramatike rolin e shoqërisë civile në bërjen e zyrtarëve më të përgjegjshëm.

“Nëse unë bëhem presidente, misioni im do të jetë që t’i jap shoqërisë civile leva për të ndikuar tek autoritetet. Sot, levat e vetme qe kemi janë koktejet e molotovit dhe gurët e kalldrëmit. Nuk ka alternativa”, thotë Bohomolets.

Për garën presidenciale janë regjistruar 46 kandidatë, përfshirë oligrakun pro-Euromaidanit, Petro Poroshenko, dhe ish-kryeministren Yulia Tymoshenko.

Komisioni Zgjedhor i Ukrainës pranon deri më 4 prill ofertat.

Sondazhet tregojnë Poroshenkon favorit. Bohomolets, edhe pse nuk është në krye të anketave, gëzon popullaritet të konsiderueshëm në Ukrainë.

Ajo ka hedhur poshtë dy oferta për t’u bashkuar me qeverinë e re të unitetit, fillimisht si ministre e shëndetësisë dhe pastaj si zëvendëskryeministre për çështje humanitare.

Bohomolets thotë se qeveria ka refuzuar të pranojë kushtet e saj: për të sjellë ekipin e saj, për t’i bërë kontroll të plotë ministrisë dhe për të miratuar standardet e Bashkimit Evropian të transparencës.

Dermatologia, e cila ka shërbyer si mjeke e udhëheqësit të Revolucionit të Portokalltë dhe ish-presidentit Viktor Yushchenko, vjen nga një brez i gjatë mjekësh. Njëra nga shkollat kryesore të mjekësisë në vend mban emrin e stërgjyshit të saj.

Bohomolets është po ashtu këngëtare e njohur e romancave ukrainase, një koleksionuese arti, filantropiste dhe themeluese e një kompleksi kulturor në veri të Ukrainës.

Më 20 shkurt, kur protestat janë zhytur në gjakderdhje, ajo personalisht ka trajtuar dhjetëra demonstrues të plagosur në një spital të improvizuar në hotelin Ukraina në Kiev.

Atë ditë, imazhet e Bohomolets, duke shprehur pikëllimin dhe zemërimin e saj midis kufomave, janë transmetuar në gjithë botën.

Pesë javë më vonë, ajo vazhdon të jetë e zemëruar dhe akuzon udhëheqjen aktuale për zvarritjen e hetimeve të vdekjeve.

“Ne ende nuk i dimë emrat e snajperistëve, ende nuk e dimë se kush i ka urdhëruar ata të qëllojnë. Hetuesit nuk i kanë dhënë popullit ukrainas asnjë rezultat. Njerëzit e ngarkuar me këtë çështje janë ose krejtësisht të paaftë, ose nuk kanë vullnet, ose duan ta mbulojnë atë që ka ndodhur vërtet në qeveri”, thotë Bohomolets.

Sipas saj, vetëm përmes hetimeve mund të mësohet e vërteta dhe autorët të sillen para drejtësisë.

Shifrat e qeverisë kanë vënë numrin e të vrarëve në trazira në rreth 100 dhe shumica nga ta janë protestues.

Mijëra njerëz janë plagosur dhe më shumë se 200 figurojnë ende të zhdukur.(v.tela)
XS
SM
MD
LG