Ndërlidhjet

Gratë dëshirojnë biznesin, por punojnë në institucione


Ilustrim
Ilustrim
Shumë gra dëshirojnë të udhëheqin ndonjë biznes, por ato që punojnë, në të shumtën e rasteve punojnë në administratë, arsim apo punë shërbyese.

Përfaqësuese të shoqërisë civile dhe pronare të bizneseve konsiderojnë se barrierat dhe paragjykimet e shoqërisë, që gratë të udhëheqin biznes, rolin e gruas e vënë dytësor në shoqëri.

Në anën tjetër, të gjitha institucionet vendore në vend, theksojnë se duhet të ndërmerren masa dhe që janë në përmirësim të arritjes së një pozite më të mirë të gruas në shoqëri.

Por, megjithatë, edhe pse në Kosovë ekzistojnë gra të suksesshme që udhëheqin biznese, ende shifrat janë shumë të ulëta, vlerësohet se vetëm rreth 10 për qind e bizneseve janë në pronësi të grave.

Një nga gratë që konsiderohet e suksesshme në ndërmarrësi është Linda Shala, pronare e kompanisë “Data Projekt Elektronik”, njëherësh anëtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Ajo thotë se paragjykimet që gratë nuk mund të jenë të afta në ndërmarrësi dhe ambienti jo i favorshëm i të bërit biznes në përgjithësi, dekurajon inkuadrimin e grave në biznes.

Linda Shala, e cila është edhe nënkryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas, thotë se në këtë aspekt, gratë edhe frikësohen të rrezikojnë për të hapur ndonjë biznes të ri.

“Janë shumë të pranishme paragjykimet. Mirëpo, është edhe një faktor, është çështja rrezikimit. Gratë edhe globalisht janë të njohura që më pak janë të prira që të rrezikojnë. E në ambientin, në të cilin mund të zhvillohet një biznes në Kosovë, më të vërtetë kërkohet që t’i hyhet një rreziku të madh. Ndoshta, ky edhe është një ndër faktorët që të kemi pak gra në ndërmarrësi”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Gratë në Kosovë janë të interesuara dhe kanë marrë disa iniciativa për inkuadrim në fushën e biznesit, por ende nuk është një përqindje e dëshiruar, thotë Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës joqeveritare, Gratë në Biznes”.

Për shkak të rrethanave financiare dhe ekonomike, thotë ajo, gratë janë më të kujdesshme për të filluar ndonjë biznes.

“Po mendoj se është një fillim i mirë, por them se edhe Qeveria dhe mekanizmat e shtetit, të funksionojnë në atë formë që të inkurajojnë më shumë, jo vetëm gratë, por të gjithë qytetarët, që të futen në fushën e biznesit”, shprehet Latifi.

Ndërkaq, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, shprehet së femrat kosovare janë të përgatitura për treg të punës, por pjesa tjetër nuk i jep hapësirën e duhur.

Ai, ndërkaq, thotë se një numri të femrave u mungon guximi për marrjen e këtij obligimi.

“Sipas ligjeve aktuale femrën duhet të mbrojmë, ta ndihmojmë , ta avancojmë, t’i japim hapësirë të barabartë. Dhe assesi ajo mos të shikohet vetëm si nënë, amvise, por të shikohet si ekonomiste, si inxhiniere, juriste, diplomate, presidente dhe forma të tjera”.

“Dhe, në këtë mënyrë do të kemi mundësi që më shpejtë të zhvillojmë dhe avancojmë ekonominë dhe biznesin kosovar, i cili ka nevojë të madhe për këtë kategori të shoqërisë”,
thekson Shahini.

Ndryshe, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vitin e kaluar janë regjistruar 9121 biznese, 7383 pronarë janë të gjinisë mashkullore, kurse 1471 pronare të bizneseve janë gratë.

Ndërkaq, pronësi juridike që figurojnë 267, nuk janë të regjistruara në bazë të gjinisë.

Sidoqoftë, gratë paraqiten jo mirë edhe te shkalla e punësimit në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e përgjithshme e papunësisë është 30.9 për qind.

Nga kjo shifër rezulton se 40 për qind të të papunëve janë të gjinisë femërore, kurse 28.1 për qind janë të gjinisë mashkullore, ndërkaq shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15-24 vjeç arrin në 55.3 për qind.
XS
SM
MD
LG