Ndërlidhjet

Shtohet numri i aksidenteve me fatalitet


Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve në komunikacion, në periudhën janar – korrik të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, ka shënuar rënie, por, zyrtarët e kësaj policie thonë se është tejet shqetësues fakti se është rritur numri i aksidenteve me fatalitet.

Brahim Sadriu, zëdhënës i policisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në periudhën janar - korrik të këtij viti, policia ka evidencuar 9 mijë e 54 aksidente.

Sipas tij, prej tyre janë 5 mijë e 753 aksidente kanë rezultuar me dëme materiale, ndërsa me 2 mijë e 638 aksidente me lëndime, ku janë lënduar 5 mijë e 328 persona.

Sadriu, gjithashtu thotë se numri i aksidenteve me fatalitet, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është shtuar mbi 3 për qind.

“Si pasojë e këtyre aksidenteve, kemi edhe rritje të numrit të personave që kanë humbur jetën në aksidente të komunikacionit, për këtë shtatë mujor. Pra, nëse e marrim periudhën janar –korrik 2014, janë raportuar gjithsej 62 aksidente me fatalitet, ku në këto aksidente kanë humbur jetën 73 persona. Në gusht, kemi 15 persona që kanë humbur jetën”, bën të ditur Sadriu.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sadriu, ka shtuar se shkaktarët e aksidenteve, kryesisht ka qenë mosrespektimi i rregullave të trafikut nga vozitësit e automjeteve.

“Vozitja mbi shpejtësinë e lejuar është një prej faktorëve më të shpeshtë. Më pas, një numër të madh të aksidenteve me fatalitet, i kemi tek njerëzit që kanë dalë nga rruga ose kanë goditur ndonjë dru, do të thotë, manipulim i pasigurt me mjet”, thotë ai.

Në anën tjetër, qytetarët, pjesëmarrës me automjete në komunikacion, thonë se në përgjithësi, mungon disiplina e ngasësve të automjeteve gjatë qarkullimit.

Milaim Halili, afarist nga Prishtina dhe vozitës aktiv i automjetit, thotë se respektimi i shenjave sinjalizuese në komunikacion, nuk respektohet nga vozitësit në përgjithësi.

“Nuk ka në komunikacion siguri, nuk ka rregull, sepse ne nuk i respektojmë vet ato. Nuk i respektojmë shenjat e komunikacionit, shpejtësinë e kufizuar. Problemi më i madh është se ne vetëm kur e shohim policinë në komunikacion, bëhemi të mirë. Përndryshe, jo, nuk jam i kënaqur”, thekson ai.

Ngjashëm e shpjegon situatën e dhe Vebi Alia, taksist në Prishtinë. Ai vlerëson se vozitësve u mungon vetëdija për sjelljet brenda normave në komunikacion.

“Sinjalistika, në kohët e fundit është mirë dhe nuk është keq, në krahasim me më herët. Mirëpo, disiplinë në komunikacion nuk ka. Nuk e di, mbase mungon vetëdijesimi i vozitësve. Nuk ka disiplinë në mënyrë të kënaqshme dhe kjo vërehet, sepse bëhen gabime në rrugë me një kahe, në vija të plota, në semafor. Rrezikojnë veten dhe të tjerët. Tejkalojnë shpejtësinë. Gjithkund në qytet është e kufizuar në 35 km, por askush nuk vozitë ashtu, përveç nëse ka kolonë”, shprehet Alia.

Por, Agron Behrami, drejtor i auto-shkollës “Linda” në Prishtinë dhe instruktor profesionist për vozitje, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë vozitësit që marrin lejen për qarkullim, përgatiten mirë në auto shkollat e ndryshme.

Por, mos disiplina në komunikacion dhe një varg faktorësh, të cilët injorohen nga vozitësit, sjellin deri te aksidentet.

“Kemi të bëjmë edhe me mirëmbajtjen e automjeteve, mirëmbajtjen e rrugëve, Zakonisht, aksidentet më së shumti shkaktohen kur është koha me shi, sepse zvogëlohet dukshmëria dhe zgjatet rruga e frenimit. Automjetet nuk pajisen me goma të mira dhe kështu vjen te aksidenti. Pastaj, moskujdesi dhe përdorimi i telefonit mobil gjatë vozitjes, mund të them se është një prej shkaktarëve, tash për tash, më kryesori”, shprehet Behrami.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë theksuar se gjatë periudhës janar - korrik të këtij viti, është shtuar shqiptimi i dënimeve mbi 19 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, ata kanë theksuar se që nga fillimi i muajit shtator, ka filluar zbatimi i aneks planit “Shtatori-muaji i sigurisë”, që përkon me fillimin e vitit shkollor.

Në këtë muaj, sipas zyrtarëve të policisë, kanë nisur aktivitetet e shtuara të njësive në komunitet dhe njësive të komunikacionit rrugor, të cilët punojnë për sigurinë e shtuar në rrugë pranë shkollave, si dhe për vetëdijesimin e fëmijëve për njohuritë elementare të pjesëmarrjes në komunikacion, për të para ndaluar aksidentet eventuale.

XS
SM
MD
LG