Ndërlidhjet

Shporta mujore, vetëm 116 euro


Ilustrim
Ilustrim

Jo më shumë se 116 euro është shporta mujore e një qytetari të Kosovës, e cila konsiderohet të jetë e varfër dhe larg standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013 rezulton se Konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7625 euro, që në muaj është 635 euro.

Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2013 është shpenzuar në ushqim dhe pije joalkoolike për rreth 45 për qind apo 3.394 euro.

Qytetarët janë ata, të cilët shprehin shqetësim për shportën e tyre të konsumit. Ata thonë se kanë vërejtur se çdo muaj apo çdo vit, fuqia blerëse po bie për shkak të rritjes së çmimeve të konsumit.

Besa, një qytetare nga Prishtina, bën një krahasim me dy vitet e mëparshme. Ajo mendon se me ngritjen e çmimeve ka rënë edhe fuqia blerëse.

“Para dy vjetësh ndoshta me 100 euro ke arritur të blesh shumë gjëra ushqimore për shtëpi, tani me të njëjtën vlerë të parave, nuk arrin ta bësh. Nëse flasim për veshmbathje, te ne çmimet janë më të larta krahasuar me vendet perëndimore, të cilat kanë një standard më të lartë jetësor”, thotë Besa.

Ngjashëm shprehet edhe Fidan Jupolli:

“Çmimet janë ato, të cilat pamundësojnë një shportë të pasur mujore për një familje. Ka pasur ngritje të çmimeve derisa pagat kanë mbetur të njëjta”.

Pagat nga sektorin publik dhe atë privat janë burimi i rëndësishëm i të hyrave në Kosovë.

Burime tjera të rëndësishme janë bizneset e ekonomive familjare dhe pensionet, si dhe remitencat.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 441 euro.

Derisa sa i përket inflacionit gjatë viteve të fundit në Kosovë nuk ka shënuar nivel më të lartë se 5 për qind. Në vitin e kaluar, sipas të dhënave të ASK-së, ka qenë jo më shumë 1.3 për qind.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e konsideron jo të mirë situatën ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Marketet, për të qenë profitabile, llogarisin që një shportë mesatare e konsumatorit është diku minimalja 12 euro, nëse ne e llogarisim që konsumatorit i duhen së paku 15 shporta të tilla në muaj kjo del se ky konsumator duhet të ketë vetëm për shportën themelore 300 euro në muaj, pa i llogaritur shërbimet publike, rrymën, ujin, pastrimin, veshmbathjen e të tjera”, thotë Kaçaniku.

Ai thekson se me 300 euro në muaj, një familje vlerësohet se mund t’i përmbushë vetëm nevojat elementare për jetë dhe nuk mund të flitet për ndonjë standard të lartë jetësor.

“Për koston e jetesës çmimet në markete ne i kemi të njëjta si në Bashkimin Evropian, disa i kemi edhe më të larta, e në anën tjetër ne i kemi të ardhurat mesatarisht pesë apo gjashtë herë më të ulëta se në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Kaçaniku.

Sipas anketës së buxhetit të ekonomive familjare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se rreth 50 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë gjatë vitit nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë me kohë pagesat e tyre.

XS
SM
MD
LG