Ndërlidhjet

A presin ndryshime boshnjakët?


Votimet në Bosnje e Hercegovinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Votimet në Bosnje e Hercegovinë

Boshnjakët votuan anëtarët e presidencës trepalëshe, Parlamentin kombëtar dhe liderët e dy entiteteve.

Në Republikën Srpska, votat shkojnë për presidentin dhe parlamentin, ndërsa në Federatën Myslimano-Kroate, votuesit zgjedhin ligjvënësit për parlamentin e tyre rajonal dhe për parlamentet e dhjetë kantoneve të vetadministruara.

Në zgjedhje garuan mbi 8,000 kandidatë nga 65 parti, 24 koalicione dhe lista të pavarura, që do të mbushin mbi 500 poste.

Ky sistem i komplikuar qeverisës është rezultat i Marrëveshjes për Paqe të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, më 1995.

Tensionet para zgjedhjeve, midis grupeve kryesore etnike, kanë qenë të larta. Nacionalistët serbë kanë bërë thirrje edhe për ndarje. Këtë vit, vendi ka kaluar po ashtu në protesta të dhunshme, të shkaktuara nga korrupsioni dhe varfëria, si dhe në përmbytje katastrofike, që kanë lënë dhjetëra njerëz të vdekur dhe mijëra pa strehë.

Por, a pret popullata boshnjake ndryshime nga këto zgjedhje?

“Para së gjithash, pres që secili të dalë dhe të votojë. Së dyti, pres dhe shpresoj të ketë një qeveri ndryshe, një ndryshim politik në parlament dhe presidencë. Po ashtu shpresoj që të rinjtë do të kenë më shumë shanse, sepse ky vend u takon atyre”, tha Osman Alikalfiq, një qytetar nga Mostari.

Por, ndryshe nga ai, Anita Buhac nga Sarajeva nuk pret ndryshime.

“Do të votoj, por nuk besoj se do të ketë diçka më mirë. Nuk mendoj se do të ndryshojë diçka në vendin tim”, u shpreh ajo.

Bosnja llogaritet të jetë njëri nga vendet më të varfra të Evropës, me 44 për qind papunësi. Në raportin e fundit për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ajo është radhitur e fundit në listën e vendeve të Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin në këtë bllok.

Dela Buriq, një grua nga Sarajeva, megjithatë, u shpreh optimiste se gjërat do të ndryshojnë përmes votës së qytetarëve.

“Natyrisht se do të votoj, sepse kjo është mënyra e vetme me të cilën mund të ndryshoj gjërat. Do të votoj për ata që mendoj se mund të sjellin ndryshime në këtë vend”, tha Buriq.

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Bosnje, Peter Sorensen, pasi vizitoi një vendvotim në Sarajevë, bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të lartë të qytetarëve.

Ata që votojnë, kanë të drejtë të thonë diçka; ata që kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi, u kanë mundësuar të tjerëve që të vendosin për ta”, thaSorensen.

Rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve në Bosnjë priten në orët e vona të së dielës.(v.tela)

XS
SM
MD
LG