Ndërlidhjet

Topi te PDK-ja


Mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës, fotografi nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës, fotografi nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Pas tërheqjes së bllokut të partive të koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje (VLAN) nga posti i kryetarit të Kuvendit, tani bllokuese e procesit të konstituimit të institucioneve po paraqitet Partia Demokratike e Kosovës, vlerësojnë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, blloku pas zgjedhor i njohur si VLAN më në fund është pajtuar që të respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se tani i takon PDK-së që të reflektojë karshi këtij zhvillimi të ri politik.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti ka thënë për Radion Evropa e Lirë se seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit duhet të thirret sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ai mendon se seanca as që është dashur të zvarritet siç ka ndodhur deri më tani.

"Blloku ka bërë veprimin për t'u pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por në këtë fazë mbeten tani PDK-ja dhe Flora Brovina që në mënyrë jo kushtetuese pengojnë vazhdimin e seancës. Pra, deri në këtë fazë pengesë dhe bllokues kryesor ka qenë Blloku duke insistuar në mos arritjen e një marrëveshje për kryetar të Kuvendit, por tash e tutje PDK-ja është ajo që duhet të reflektoj", ka thënë Rashiti.

Analisti Rashiti ka thënë tutje se Kuvendi duhet të konstituohet dhe më pas të shihen se cilat janë ofertat e partive politike për formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë që analisti Blerim Burjani mendon se heqja dorë e Bllokut VLAN nga posti i kryetarit të Kuvendit ka hapur edhe disa dilema të brendshme që e cenojnë unitetin e këtij koalicioni, pasi që AAK më nuk e ka të sigurt pretendimin për postin e kryeministrit, të cilin tani do ta kërkoj për vete LDK-ja.

"Blloku VLAN është marrë vesh vetëm formalisht që pozita e kryeministrit t'i takoj LDK-së sepse ata do të pranojnë përfundimisht një opsion tjetër, atë të zgjedhjeve të parakohshme. Sa i përket PDK-së ajo nuk ka pasur ndonjë vullnet për lëshimin e postit të kryeparlamentarit, por edhe më pak do të ketë vullnet të lëshojë atë të kryeministrit", ka theksuar Burjani për Radion Evropa e Lirë.

Marrë parasysh pozicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk po pajtohet vetëm me postin e kryetrarit të Kuvendit dhe po kërkon një marrëveshje për qeverinë e re ose zgjedhje të parakohshme, Blerim Burjani vlerëson në vijim se vendi pashmangshëm që mund të rrëshqasë edhe drejt zgjedhjeve të reja.

"Nuk shoh tjetër rrugëdalje përveç zgjedhjeve të parakohshme të cilat do t'u ndihmonin të gjitha palëve në këtë krizë për të ofruar një mundësi tjetër dhe gjetur një zgjidhje tjetër krejtësisht ndryshe", ka deklaruar Burjani.

Në anën tjetër, Naim Rashiti konsideron se pozicionet mes dy blloqeve më të mëdha politike po ndikojnë që situata politike të tensionohet.

Rashiti beson se në këtë rrafsh, edhe presidentja Atifete Jahjaga do të duhej të luante rolin e sajkushtetues duke kërkuar publikisht nga kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina që të vazhdojë seancën.

"Presidentja duhet ta ketë agjendën e njëjtë. Ajo do të duhej të propozonte në tavolinë draft propozimin që si rezultat do të kishte vazhdimin e seancës dhe dialogun politik. E para, që të merr parasysh kërkesën e PDK-së që partitë politike të ulen bashkë ne Zyrën e Presidentes dhe e dyta kërkesën e Bllokut VLAN që Kuvendi të hapet - vazhdojë seancën", ka thënë Rashiti.

Kriza politike në Kosovë po vazhdon për më gjatë se pesë muaj. Mos konstituimi i institucioneve është vlerësuar se po e fut Kosovën në një krizë politike, financiare e buxhetore.

Po ashtu, edhe nga qarqet ndërkombëtare është tërhequr vërejtja se një gjendje e tillë do po ndikon negativisht për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG