Ndërlidhjet

Putin sulmon Perëndimin, “mbron” Krimenë


Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në Kremlin, Moskë.
Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në Kremlin, Moskë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar Perëndimin për veprime “cinike dhe agresive” dhe ka thënë se Rusia kurrë nuk do t’i përkulet vullnetit të shteteve të huaja.

Putin i është drejtuar të enjten kombit, me një fjalim nga Kremlini.

Ai ka thënë se sanksionet, e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe për shkak të mbështetjes ruse për separatistët në lindje të Ukrainës, janë ndërmarrë për të shkatërruar ekonominë e Rusisë, por ato vetëm se e kanë stimuluar atë.

Megjithatë, Putin ka pranuar se Rusinë e presin kohë të vështira.

Si pasojë e sanksioneve, rubla, që dikur ka qenë simbol i stabilitetit nën udhëheqjen e Putinit, ka pësuar rënien më të madhe qysh në vitin 1998.

Putin ka thënë se Krimea është me “rëndësi të shenjtë” për Rusinë dhe se Moska do ta trajtojë atë ashtu si hebrenjtë dhe myslimanët trajtojnë vendet e shenjta në Jerusalem. Me këtë, Putin ka sinjalizuar se Kremlini nuk do t’ia kthejë kurrë gadishullin Ukrainës.

Ai po ashtu ka thënë se “tragjedia” në lindje të Ukrainës – ku më shumë se 4,300 njerëz janë vrarë në luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë – ka treguar se politikat e Rusisë janë “të drejta”.

“Ne kemi kaluar nëpër prova këtë vit që vetëm një komb i pjekur dhe i bashkuar mund t’iu bëjë ballë – pra, një shtet vërtet sovran dhe i fuqishëm. Rusia ka dëshmuar se mund të mbrojë bashkatdhetarët e saj, duke mbrojtur me nder të vërtetën dhe drejtësinë. Vendi ynë e ka bërë këtë falë jush, shtetasve të Rusisë”, ka thënë Putin.

Ai ka akuzuar Perëndimin se ka bërë përpjekje të shkatërrojë Rusinë qysh gjatë viteve 1990, sikurse edhe Jugosllavinë, porse ka dështuar “ashtu siç edhe Hitleri ka dështuar”.

Putin ka sulmuar Shtetet e Bashkuara në lidhje me sistemin e mbrojtjes raketore që janë duke ndërtuar me aleatët e NATO-s në Evropë, duke thënë se është e pakuptimtë të kërcënohet Rusia me forcë dhe ka akuzuar qeveritë evropiane dhe të SHBA-së se po bëjnë përpjekje të krijojnë një perde të re të hekurt përreth Rusisë.

Duke e cilësuar Rusinë si ishull të korrektësisë morale, Putin ka thënë se Moska nuk do të ndjekë kurrë politikat e diktuara nga jashtë.

“Nëse krenaria kombëtare për disa vende evropiane është nocion i harruar dhe sovraniteti është një luks i papërballueshëm, sovraniteti kombëtar për Rusinë është një parakusht thelbësor për ekzistencën”, ka thënë Putin.

Pavarësisht gjuhës së zjarrtë, Putin ka thënë se Rusia nuk do ta izolojë veten dhe se do marrëdhënie të mira me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Në asnjë rrethanë nuk do të zvogëlojmë lidhjet tona me Evropën dhe Amerikën”, ka thënë ai gjatë fjalimit 75-minutësh, duke ka shtuar se Rusia, në të njëjtën kohë, do të ringjallë dhe zgjerojë lidhjet tradicionale me jugun e kontinentit amerikan dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me Afrikën dhe vendet e Lindjes së Mesme.

Putin po ashtu ka theksuar se Rusia nuk do të futet në garë për armë të shtrenjta, por ka paralajmëruar se ajo ka mënyra për të mbajtur ritmin me përmirësime të huaja ushtarake.

Fjalimin drejtuar kombit, Putin thuhet se e përdor për të prortertizuar veten si udhëheqës të fortë, me kontroll të fortë në krye të vendit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG