Ndërlidhjet

Zbritjet e “zbukuruara” për fundvit


Ilustrim
Ilustrim

Para festave të fundvitit, kompani të shumta tregtare në Kosovë kanë filluar një fushatë marketingu, me anë të cilës informojnë qytetarët për produkte të shumta, në të cilat kanë bërë zbritje të mëdha.

Zbritjet janë nga më të ndryshmet duke filluar nga 10 për qind deri në 70 për qind.

Qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë dhe përfaqësues për mbrojtjen e konsumatorit, tregojnë se jo çdo herë këto zbritje janë reale.

Sadik Kastrati nga qyteti i Prishtinës, tregon se është gjendur para një marketingu të rrejshëm që kanë bërë dyqanet në kryeqytet.

“Këto shitoret që po na mbushin me fletushka në dyert e banesës e gjithandej këto janë krejt te rrejshme. Po ta tregoj një rast kur djali im ka shkuar që të blej një produkt i cili ka qenë në zbritje. Kur ai e ka marr produktin dhe ka shkuar në arka për ta paguar çmimin, i ka dal të mos jetë më zbritje. Unë nuk iu besoj fare”, thotë ai.

Edhe Adelina thotë se ka hasur në çmime të cilat është shkruar se ka zbritje ndërkohë që çmimi ka qenë po ai i mëhershmi.

“Prej përvojës time zakonisht para festave, sidomos këtyre të fund vitit, krejt lokalet kanë marketing se kanë zbritje deri në 70 për qind apo 50, por sa kam mundur më vërejt nuk është reale. Zakonsiht ata e dinë që për fund vit bëjnë shpenzime më shumë edhe si shikojnë qmimet, prandaj edhe i nisin më këto reklama të rrejshme”, thotë ajo.

Sipas Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit në Kosovë, konsiderohet mashtruese dhe dënohet në qoftë se një kompani bën një reklamë e cila përmban informata të pasakta, dhe rrjedhimisht ka mundësi të mashtrojë konsumatorin e rëndomtë, i cili në bazë të praktikës së tillë merr vendim të cilin përndryshe nuk do ta ndërmerrte.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se tregtarët po shkelin edhe ligjet në fuqi duke mashtruar konsumatorët me zbritje mashtruese.

“Për të mos e gjeneralizuar, ka edhe ulje reale që shkojnë në favor reciprok edhe në favor të kompanisë edhe konsumatorit, por një pjesë më e madhe janë zbritje mashtruese duke abuzuar kështu me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit”, shton Kaçaniku.

Ai tregon se institucionet në Kosovë, në veçanti mekanizmat e inspektimit të tregut, nuk kanë ndërmarrë asgjë edhe përkundër faktit që zbritjet mashtruese janë bërë dukuri në vend.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit konsiderohet praktikë ndëshkuese edhe pohimi i pavërtetë, se mallrat do të jenë në dispozicion vetëm në periudhë shumë të kufizuar dhe udhëzimet për konsumatorët që menjëherë të marrin një vendim për blerje, duke ju mohuar atyre mundësinë për t’iu dhëne kohë që të marrin një vendim të bazuar në rrethanat tjera.

Gjobat për ato kompani të cilët identifikohen se kanë bërë reklama mashtruese, sipas Ligjit për Mbrojtjen e konsumatorit janë prej njëmijë euro deri në tremijë euro.

XS
SM
MD
LG