Ndërlidhjet

Ngritja e akcizës rrezik për rritjen e kontrabandës


Mosrealizimi i projeksioneve të Qeverisë së Kosovës për mbledhjen e të hyrave buxhetore të planifikuara për këtë vit, ka bërë që kjo e fundit të marrë vendime për rritjen e akcizës në disa mallra, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Vendimi i fundit për ndryshimin e normave të akcizës në duhan, mjete piroteknike, kazionitë dhe lojërat e fatit nga ekspertët vlerësohet se është bërë për mbushjen e buxhetit të shtetit, por që sipas tyre një vendim i drejtë.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se produktet të cilat janë përzgjedhur që të kenë akcizë më të lartë nuk kanë ndonjë dëm në shoqëri.

“Duket se projeksionet për të hyrat buxhetore kanë qenë më të mëdha sesa mundësitë për t’i grumbulluar ato të hyra dhe Qeveria e Kosovës ka planifikuar shpenzime duke u bazuar në ato projeksione të gabuara të të hyrave".

"Tani pas gjashtë muajve po del se Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës nuk kanë arritur ta plotësojnë atë plan që qeveria e ka planifikuar për të hyrat, dhe tash për ta mbuluar atë, Qeveria po mundohet që të gjejë forma tjera për të mbushur buxhetin”, vlerëson Demi.

Por, sipas Demit, në rast se nuk ka ndonjë kontroll më të madh kufitar në momentin që rritet akciza në këto produkte dhe bëhet më e lartë sesa në vendet e rajonit, atëherë ekziston rreziku i rritjes së kontrabandës.

“Sa më shumë të rriten çmimet e një produkti, ai produkt bëhet më atraktiv për tu kontrabanduar dhe nëse nuk ka një kontroll më të madh kufitar ekziston rreziku që për shembull, duhani të hyjë në formë të kontrabanduar dhe i pa doganuar dhe në këtë formë të ulë edhe ato të hyra që i kemi grumbulluar si shtet”, sqaron Demi.

Sipas vendimit për ndryshimin e normave të akcizës, ngritja e akcizës në duhan është nga 35 euro në 1000 copë në 38 euro në 1000 copë, ngritja e akcizës me normë prej 40 për qind në aparatet - makinat që përdoren në lojërat e fatit, si dhe vendosja e akcizës prej 2 euro për kilogram në fishekzjarre.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi është një vendim i qëlluar, pasi që siç shprehet Gashi, Kosova ka nevojë për uljen e tatimit në produktet bazike dhe rritjen e akcizës në mallrat luksoze.

“Përshkallëzimi i TVSH-së sjell një mungesë të mjeteve në buxhetin e Kosovës dhe përmes rritjes së akcizës në mallra luksoze Qeveria e Kosovës po e mbulon atë boshllëk financiar që do të krijohet në buxhetin e Kosovës”, thekson Gashi.

Gashi ka theksuar se ky vendim i Qeverisë së Kosovës është në pajtim me direktivat e Bashkimit Evropian sa i përket tatimit të mallrave luksoze.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se ndryshimi i normave të akcizës për duhan, kazino, lojërat e fatit dhe mjetet piroteknike do të ketë efekte buxhetore, por edhe efekte sociale dhe efekte edukative.

XS
SM
MD
LG