Ndërlidhjet

Bie pjesëmarrja e qytetarëve nga Kosova në luftëra të huaja


Pjesëtarë të grupit militant Al-Nusra në Aleppo të Sirisë, foto arkivi
Pjesëtarë të grupit militant Al-Nusra në Aleppo të Sirisë, foto arkivi

Pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova në luftërat e huaja përkrah grupit militant të Shtetit Islamik (IS) në Siri dhe Irak, vazhdon të jetë shqetësim për institucionet e Kosovës.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thanë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar Shtetit Islamik ka shkuar në rreth 300.

Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, tha se rreth kësaj çështjeje ministria dhe institucionet e tjera janë duke punuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Janë diku 300 kosovarë të cilët kanë marrë pjesë në luftërat të huaja. Kjo shifër nuk do të thotë se [ata persona] janë ende atje, pra po flasim për një numër të cilët në një periudhë kanë qenë atje, e disa prej tyre ende vazhdojnë të mbeten në ato vatra lufte”, tha Mjekiqi.

Zonja Mjekiqi theksoi se nga këta persona ka edhe të vrarë...

“Afërsisht dihet se janë diku rreth 50 veta. Mirëpo, ju e dini që këto informacione nuk janë edhe shumë të sakta, sepse informacionet janë marrë nga burime të ndryshme”, deklaroi Mjekiqi.

Në shifrën prej rreth 50 persona të vrarë, hyjnë edhe ata shqiptarë nga Kosova që kanë pasur nënshtetësi të ndonjë shteti tjetër, përveç asaj të Republikës së Kosovës.

Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, tashmë po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj më shumë se 110 personave.

Në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria e Shtetit, thuhet se “lidhur me statistikat për rastet e terrorizmit, 31 persona gjenden ne paraburgim, 21 persona janë nën masën e arrestit shtëpiak, 37 persona në masën alternative, kurse 22 persona janë liruar nga paraburgimi ose masat tjera alternative”.

Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si i është qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

“Nëse e shikojmë trendin prej vitit 2012 deri në vitin 2014 dhe nëse i krahasojmë [shifrat] me vitin 2015, atëherë vërehet një rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë si luftëtarë të huaj kryesisht në Siri dhe Irak".

"Si shoqëri civile, qeveria dhe mediet në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen pak më shumë se ata persona që marrin pjesë në luftën e Sirisë dhe Irakut i shkaktojnë më shumë dëme komunitetit mysliman në Siri e Irak, e shumë pak mund t’i ndihmojnë”, tha Perteshi.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë kanë hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik, janë ndër shkaktarët kryesor të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak, kanë konstatuar zyrtarë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë, në një raport që është publikuar më herët lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Njohësit e fesë islame në Prishtinë, nuk e përjashtojnë mundësinë që të rinjtë nga Kosova të kenë shkuar në Siri e Irak në këmbim të kompensimeve financiare, ndonëse pohojnë se ato nuk janë primare.

XS
SM
MD
LG