Ndërlidhjet

Konfrontimet mes ministrave, rrezikojnë marrëveshjen politike


Përplasjet mes ministrave të pushtetit dhe opozitës në qeverinë kalimtare të Maqedonisë që pritet të zyrtarizohet deri më 15 janar, rrezikojnë zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar konfrontimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale që drejtohen në kuadër të LSDM-së opozitare, ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike.

Në fakt, përplasjet lidhur me kompentancat dolën në sipërfaqe pas vendimit të ri të Ministrit të MPB-së, Oliver Spasovski për të tërhequr të gjitha kompetencat e deleguara nëpër sektorë të caktuar dhe vendimit të Ministres së Punës, Frosina Remenski, që si këshilltarë të saj të emëroj disa kuadro të tjerë të opozitës.

Vendimet u kundërshtuan nga zëndësministrat që janë nga radhët e VMRO- DPMNE-së, të cilat sipas marrëveshjes politike kanë të drejtën e vetos, por vetëm lidhur me vendimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Madje, zëvendësministri i Punës, Dime Spasov kishte urdhëruar punonjësit e Ministrisë së Punës që të mos përfillim asnjë vendim të ministres. Analistët thonë se nëse vazhdojnë konfrontimet e tilla nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së krizës së re, apo largimit të opozitës nga qeveria.

“Kur shikohet fotografia e përgjithshme, pra kur bëhet i plotë mozaiku me fushatën e cila vazhdon e njejtë në media, unë vlerësoj se është e mundur që ministrat të do të getoizohen aq shumë sa që të detyrohen të marrin vendimin dhe të largohen nga pozicioni pasi nuk lejohen që të ushtrojnë detyrën e tyre cilën ua përcakton kushtetuta pasi ata u votuan më shumicë votash në Kuvend".

"Pra, mendoj se në këtë mënyrë ashtu siç ka vepruar deri më tani kjo konjukturë, kështu do të vazhdojë të mbrojë mbretërinë e tyre në stilin me të cilin e krijuan“, thotë Sulejman Rushiti, njohës i çështjeve politike dhe ish-ministër në periudhën e viteve 2006-2008.

Ai thotë se qëllimi i partive në pushtet është që në këtë formë të zvarrisin zbatimin e marrëveshjes apo që ministrat e rinj të mos mund të hetojnë keqpërdorimet që dyshohen të jenë bërë gjatë periudhës së kaluar në veçanti në zgjedhjet e fundit parlamentare

I të njejtit mendim është edhe Temelko Ristevski, profesor i sistemit politik. Ai thotë se përveç zvarritjes së marrëveshjes politike, qëllimi është edhe në prezantimin para oponioni të ministrave nga radhët e opozitës si të paaftë, apo se qëllimi kryesor i tyre është politizimi i këtyre ministrive.

“Vlerësoj se një situatë e tillë nëpër këto ministri dhe institucione krijohet me qëllim gjoja për të treguar se ministrat e opozitës nuk kryejnë punën si duhet dhe me këtë të krijojnë kushte për zvarritjen e zbatimit të marrëvëshjes politike. Kjo nuk është mirë, pasi mund të përkeqësoj krizën në vend. Partitë duhet të shohin interesat e qytetarëve pasi është irelevante se kush drejton ministrinë, pozita apo opozita“, thotë Temelko Ristevski, profesor i sistemit politik.

Ndryshe, qeveria kalimtare në bazë të marrëveshjes politike do të kompletohet deri në fund të vitit kur pritet dorëheqja e kryeministrit, Nikolla Gruevski për t'i lëshuar vendin një kuadri tjetër të partisë së tij ndërsa zyrtarizim i kabinetit të ri pritet të ndodhë më së voni deri më 15 janarë të vitit të ardhshëm.

Detyrë parësore e qeverisë kalimtare do të jetë organizim i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.

XS
SM
MD
LG