BASRA

Zyrtarë të Irakut thanë se së paku 68 njerëz janë vrarë sot në sulmet me autobomba në tri stacione policie në Basra.
Administratori amerikan i Irakut, Paul Bremer tha se terroristët kanë qëndrim të mbrapshtë për të ardhmen e Irakut.
Presidenti amerikan George Bush lidhur me këtë tha: "Atyre aq u bën se kë e vrasin. Thënë ndryshe, ky është një armik që fshihet, është një armik aq i pamëshirshëm që nuk dallon fjalët i pafajshëm dhe fajtor", tha Bush, për të shtuar se populli i Irakut i ka sytë të drejtuar kah Amerika prandaj forcat amerikane nuk do të ikin dhe t'i lënë irakienët, deri sa ai është në zyrën ovale.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan tha se kjo është dëshmi e përhapjes së dhunës në Irak.
Ndërsa ministri i brendshëm i Irakut, Samir Sumaidy e dënoi sulmin. "Sot është kryer edhe një krim, edhe një masakër. Terroristët kanë marrë jetët edhe të një grupi tjetër njerëzish të pafajshëm, fëmijësh të pafajshëm", ka thënë Sumaidy.