UNMIK: NDARJA TERRITORIALE E PAPRANUESHME

Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe ata të institucioneve vendore e kanë kundërshtuar sot deklaratën e djeshme të Bashkësisë së Komunave Serbe, në pjesën veriore të Kosovës, përmes së cilës bëhet thirrje për organizim të ri territorial e politik në Kosovë, duke e marrë si shembull modelin e Bosnjës, respektivisht krijimin e dy entiteve në Kosovë.
Duke iu përgjigjur kësaj deklarate, një zëdhënëse e UNMIK-ut në Prishtinë, Matchild Heneke, thotë se standardet për Kosovën janë përkrahur edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe se çdo tentim për përbuzjen e tyre është i papranueshëm, sikurse janë të papranueshme dhe tentimet e njëanshme për ndarje territoriale të Kosovës:
“Çdo vendim për ndarje territoriale në Kosovë apo për Kosovën, mund të merret vetëm nga Këshilli i Sigurimit, si organ i vetëm që mund të sjellë venmdime të tilla," thotë zëdhënësja e UNMIK-ut.
Ndërkohë, për Ramush Tahirin, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kjo deklaratë, është krejtësisht e papranueshme dhe me pasoja të rënda, përmes së cilës, sipas tij, bëhet thirrje dhe për luftë në Kosovë:
“Ky është një akt krejtësisht i papranueshëm dhe është një akt që është në kundërshtim me angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe gjithashtu në kundërshtim edhe me vullnetin e popullit të Kosovës. Është një akt që pa marrë parasysh fuqinë e atyre që e mbështesin, synon ndarjen etnike dhe territoriale të Kosovës, synon secesionizmin në Kosovë dhe thërret për luftë të re e të përgjakshme në Kosovë”, tha zoti Ramush Tahiri.
Ndërsa zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Mimoza Kusari, thotë se ky është një akt anti- kushtetues, i papranueshëm dhe dëshmon se përfaqësuesit e pakicës serbe ende nuk e pranojnë realitetin e ri në Kosovë. Efektet e kësaj deklarate, përveç se kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës, reflektohen negativisht edhe në procesin e përmbushjes së standardeve, thotë zëdhënësja Kusari:
“Ata janë të ftuar dhe një prej standardeve është dhe çështja e dialogut dhe kthimit të bashkësive dhe komuniteteve të ndryshme. Ata kanë munguar dje në fillimin e punës së grupeve punuese, dhe se me sjellje të tilla si ajo e djeshmja apo miratimi i deklaratës së Shën Kollit, ata jo vetëm që nuk bëhen pjesë e proceseve integruese në Kosovë, por ia pamundësojnë edhe vetes një jetë normale në territorin e Kosovës”, thotë zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës.
Zëdhënësja Kusari, thotë po ashtu se qëndrime të tilla të përfaqësuesve të pakicës serbe, janë bërë pengesë reale e integrimit të këtij komuniteti në jetën shoqërore dhe institucionale në Kosovë:
“Qeveria është në punë e sipër dhe deri tani ka krijuar parakushtet për pranimin dhe integrimin e të gjitha minoriteteve në Kosovë. Megjithatë nëse minoritetet, apo bashkësitë e caktuara nuk dëshirojnë të integrohen, atëherë ajo është çështje e vullnetit të tyre, por nëse duan një ardhmëri të sigurtë në Kosovë, atëherë e vetmja mundësi është integrimi”, vlerëson zëdhënësja Kusari.
Miratues të kësaj deklarate, ishin dhe disa nga deputetët e koalicionit “Kthimi” në Kuvendin e Kosovës, çka sipas Ramush Tahirit, tregon se një pjesë e këtyre politikanëve më tepër janë të interesuar për politikë destruktive sesa për integrimin e pakicës serbe në strukturat legale vendore:
“Është interesante të thuhet se ballafaqohemi me mungesë sinqeriteti dhe dyfytyrësi të politikës së disa serbëve të Kosovës që marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe që duket se pjesëmarrjen e tyre me disa akte, që tani i ndërmarrin, e konsiderojnë vetëm si pjesëmarrje destruktive me qëllim prishjen e gjithë asaj, që vetëm me marrëveshje dhe në mënyrë demokratike arrihet në Kosovë”, thotë Tahiri.
Përndryshe, përfaqësuesit serbë të mbledhur në një organ të vetëquajtur Bashkësi e Komunave Serbe të Kosovës, bëjnë thirrje për formimin e dy entiteteve në Kosovë, që Kosova të trajtohet si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, përkatësisht e Unionit Serbi e Mali i Zi, si dhe kërkohet rikthimi i ushtrisë, policisë dhe i institucioneve tjera serbe, sepse sipas tyre të gjitha institucionet e formuara pas vitit 1999 në Kosovë janë struktura paralele. Sipas tyre, kjo deklaratë ishte dhe përgjigje ndaj planit të miratuar ditë më parë, në Prishtinë, “Standardet për Kosovën”.