Ndalohet hyrja e trenave nga Serbia në Kosovë

KFOR-i

As sot nuk ka pasur lëvizje të lirë të trenave nga Fushë Kosova në Leshak. Përfaqësuesit e Hekurudhave të Kosovës thonë se autoritetet e UNMIK-ut dhe ato të KFOR-it e kanë kthyer prapa trenin që ka tentuar të hyjë nga Leshaku.

Serbët e Kosovës, përveç SHPK-së, po vazhdojnë t’i bojkotojnë edhe institucionet tjera të Kosovës. Punonjësit serbë të Hekurudhave të Kosovës që nga dje kanë filluar të punojnë për strukturat paralele të Qeverisë së Serbisë, përderisa edhe sot Hekurudhat e Kosovës nuk kanë pasur qasje në pjesën veriore të Kosovës.

Drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, thotë se situata vazhdon të jetë e ngjashme me ditën e djeshme.

“Ju e dini që dje e kemi ndërprerë qarkullimin e trenit të lëvizjes së lirë nga Fushë Kosova për në Leshak dhe anasjelltas. Situata është e ngjashme me ditën e djeshme. Ju e dini që ne kemi kërkuar nga UNMIK-u që të mos u lejohet hyrja e trenave nga Serbia në Kosovë. Sot kemi informacion se treni i mëngjesit ka kthyer në Leshak dhe se autoritetet e policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it e kanë kthyer mbrapa trenin nga Leshaku. Do të shohim më vonë se çka do të ndodhë dhe konform situatës do të sillen edhe Hekurudhat e Kosovës”, ka thënë Ramosaj.

Ndërkaq, autoritetet serbe të Hekurudhave kanë pohuar se në veri të Kosovës nuk ka pasur qarkullim të trenave, meqë, siç është thënë, është duke u bërë kontrollimi i binarëve.

Zoti Ramosaj ka bërë të ditur se punëtoret serbë të kësaj ndërmarrjeje nuk janë paraqitur në vendet e tyre të punës. Megjithatë, ai thotë se disa nga punëtoret tashmë kanë deklaruar se nuk do të punojnë për Hekurudhat e Kosovës.

“Ne jemi duke i kontaktuar të gjithë punëtorët serbë të Hekurudhave të Kosovës. Një numër i tyre, përmes telefonit, ka deklaruar se nuk do të punojë për Hekurudhat e Kosovës dhe një numër tjetër ka deklaruar se do të vazhdojë punën për Hekurudhat e Kosovës. Sidoqoftë, kuptohet se edhe ata janë në presione të mëdha nga autoritetet serbe dhe nga grupet e caktuara atje, që i përfaqësojnë gjoja Hekurudhat e Kosovës dhe Hekurudhat e Serbisë”, tha Ramosaj.

Nga ana tjetër, situata e sigurisë në gjithë territorin e Kosovës është e qetë, por delikate, duke pasur parasysh ngjarjet që po zhvillohen në veri të Mitrovicës dhe disa vende të tjera të banuara me serbë, thonë autoritetet e rendit.

Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se situata në përgjithësi është nën kontroll.

“Në mbarë territorin e Kosovës, situata e sigurisë paraqitet e qetë dhe stabile. Mirëpo, delikate, duke pasur parasysh ngjarjet që janë zhvilluar. Situata në Mitrovicë konsiderohet të jetë e qetë dhe stabile, por e tensionuar duke pasur parasysh që kemi edhe vende, të cilat janë të përziera, si Lagja e Boshnjakëve, Suhodoli, Kodra e Minatorëve”, tha Elshani.

Veton Elshani ka shtuar se 296 pjesëtarë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës vazhdojnë të jenë të suspenduar, pasi që javën e kaluar kanë refuzuar të punojnë nën urdhrat e SHPK-së.

Sipas tij, periudha fillestare prej 48 orësh e pezullimit tashmë ka kaluar dhe lëndët i janë dërguar Inspektoratit të Policisë.

Elshani ka shtuar se aty ku ka mungesë të pjesëtareve të SHPK-së, janë bërë zëvendësime dhe me policë të përkatësive tjera etnike, por edhe ndërkombëtarë.

“SHPK-ja i ka mbuluar zonat, të cilat ata i kanë operuar, me pjesëtarë të tjerë të SHPK-së nga regjionet, si dhe me policë të tjerë ndërkombëtarë. Nëse Graçanica i ka pasur 58 policë para se kolegët tonë serbë të suspendohen, tani i ka 108”, tha Elshani.

Sot është protestuar në veri të Mitrovicës nga banorët serbë, të cilët e kundërshtojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me protestuesit e Mitrovicës sot janë solidarizuar edhe nxënësit e shkollave serbe në Graçanicë dhe ata të Shtërpcës.