Gjykatat në Mitrovicë vazhdojnë të mbahen nga serbët

Njësitet speciale të policisë para gjykatës në Mitrovicë

Situata në veri të Mitrovicës, konkretisht në Gjykatën e Qarkut dhe në atë Komunale, vazhdon të jetë e njëjtë. Protestuesit serbë kanë qëndruar edhe gjatë natës së mbrëmshme dhe vazhdojnë të jenë prezentë në oborrin e këtij institucioni.

Protestues serbë dhe ish-punonjës të Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e këtij institucioni, duke tentuar ta mbajnë nën kontroll atë. Protestuesit edhe gjatë natës së mbrëmshme kanë qëndruar në oborrin e gjykatës.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se numri i protestuesve aktualisht është 20-30 persona.

“Situata, që nga dita e djeshme, në orët e pasdites, nuk ka ndryshuar fare në atë aspektin e lirimit të objektit, përkatësisht të oborrit të gjykatave. Kemi përafërsisht një numër të njëjtë, diku rreth 30-40, të personave që vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e kësaj gjykate”, tha Hoti.

Ai shtoi se pas takimit të djeshëm në mes të përfaqësuesve rajonalë të Policisë së UNMIK-ut dhe përfaqësuesve serbë të protestuesve, i cili nuk ka rezultuar me ndonjë marrëveshje, mundësisë e intervenimit janë pjesë e planit, por nuk ka saktësuar se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Nuk mund të flas për çështje të intervenimit, mbase një intervenim i tillë është pritur që nga dita e djeshme, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për intervenim gjatë ditës së sotme, nuk kam informacion nëse do të ndodhë apo jo, por të shohim”, u shpreh Hoti.

Mënyrën e komunikimit në mes të protestuesve dhe autoriteteve të policisë, kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Bajram Rexhepi, e ka kritikuar, duke thënë se me njerëzit që kryejnë akte të dhunshme, nuk duhet të bisedohet.

“Kjo nuk është forma e duhur, sepse po bisedojnë pikërisht me ata që i kanë organizuar këto akte të dhunshme. Prandaj, mendoj se nuk është mënyra e duhur. Duhet të ndërhyhet, duhet t’i qesin jashtë dhe organizatorët eventualisht të arrestohen. Duhet të vendoset rendi dhe ligji dhe nuk mund të ketë anarki”, tha Rexhepi.

Mosintervenimin e Policisë se UNMIK-ut për largimin e protestuesve serbë nga gjykata, zoti Rexhepi e konsideron si kundër-produktive, duke shtuar se institucionet e Kosovës janë duke bërë presion te autoritetet e rendit që sa më parë të intervenojnë për largimin e protestuesve nga gjykata.

“Jemi duke bërë presione. Mirëpo, ky është obligim i tyre; ata e kanë gjetur një vijë, ku nuk duan të shkaktojnë tensionime, kinse iritime, por kjo është kundër-produktive, sepse sa më shumë i tolerojnë, ata më shumë veprojnë në mënyrë të njëjtë. Duhet t’u tregohet që funksionon rendi dhe ligji”, tha Bajram Rexhepi.

Ne ketë çështje përveç policisë rajonale të UNMIK_ut në Mitovicë janë inkuadruar edhe policia e UNMIK-ut nga komanda kryesore e Prishtinës, bëjnë të ditur zyrtarët e SHPK-së.