Dhjetë vjet që prej fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, Kosova sot gëzon shtetin e saj, të njohur nga 56 vende të botës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
E vlerësuar nga historianë të shumtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, bombat e para kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë ranë më 24 mars të vitit 1999 dhe fushata përfundoi më 10 qershor të po të njejtit vit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës.
Gjatë kësaj periudhe, pamjet në ekranet e mediave botërore tregonin për vrasje të civilëve shqiptarë dhe një përndjekje të popullatës nga forcat serbe të sigurimit. Vlerësimet janë se rreth 1 milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pothuajse po aq edhe u kthyen pas përfundimit të luftës.
Fundi i luftës, Kosovën e gjen me më shumë se 10,000 të vrarë dhe 5,000 të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihej gjë. Por, me gjithë dhimbjen, ishte hyrja e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, më 12 qershor, ajo që nxori lot gëzimi dhe ndjenjë fitoreje tek qytetarët e Kosovës.
Dita e hyrjes së forcave paqeruajtëse njëkohësisht shënon edhe fillimin e procesit të përndjekjes së përgjegjësve për krime të rënda lufte, për të cilat flitej gjithnjë e më shumë pas zhvarrimeve që bëheshin nëpër varrezat masive.
Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Hollkaustit, pati thënë se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.
Dhe, fundi i kësaj politike shënon edhe fillimin e përpjekjeve të kosovarëve, të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, për ndërtimin jo vetëm të një shteti që do të lindte nëntë vjet më vonë, por edhe të një vendi tërësisht të rrënuar nga një regjim i dhunshëm serb.
Lordi George Robertson, pas vizitës që i pati bërë Kosovës në vitin 2000, pati thënë se “lufta në Kosovë ka qenë dhe ende është në interes të komunitetit ndërkombëtar”.
“Kosova është një vend i vogël, por gjendet në një pikë jashtëzakonisht strategjike – midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, në pjesën ku takohen Islami dhe Krishterizmi”, pati thënë Robertson.