Fituesit e Çmimit Nobel për Fizikë

Fituesit e çmimit për fizikë

Tre shkencëtarë janë shpërblyer sivjet me Çmimin Nobel për Fizikë për punën e tyre në fijet optike dhe teknologjinë e fotografisë digjitale. Çmimi i sotëm kap shumën prej 1.4 milion dollarësh.

Gjysmën e çmimit e mori Çarls Kao, shtetas britaniko-amerikan i lindur në Kinë për “arritjet e jashtzakonshme” në fijet optike, gypa të hollë që transmetojnë informata digjitale në largësi.

Amerikani Xhorxh Smith dhe Uillard Bojll, i cili ka shtetësi amerikane dhe kanadeze, e ndanë gjysmën tjetër të çmimit për shpikjen e një pjese që përdoret në kamerat digjitale.

Komiteti i Nobelit tha se shkencëtarët kanë ndihmuar për t’i formësuar themelet e shoqërive komunikuese.

“Ndikimi i punës që u shpërblye me këtë çmim është aq evident për të gjithë, duke marrë parasysh mënyrën se si komunikojmë sot, si i bëjmë imazhet dhe si i transmetojmë aq lehtë. Kjo nuk ishte aq evidente 20 vjet më parë, kur ishin bërë shumica e zbulimeve”, tha Jozef Nordgren, kryetar i Komitetit Nobel për Fizikë në Akademinë Mbretërore të Shkencave të Suedisë.

Çmimi i sotëm në vlerë prej 1.4 milion dollarë është çmimi i dytë Nobel për këtë vit.

Çmimin Nobel për Mjekësi e morën Elizabet Blekbërn, Karol Grejder dhe Xhek Shostak. Çmimin në vlerë prej 1 milion e 400 mijë dollarësh e shpalli Goran Hanson nga Fondacioni Nobel.
Fituesit e çmimit për mjekësi


“Asambleja e Nobelit në Institutin Karolinska sot vendosi të shpërblejë me Çmimin Nobel për Fiziologji apo Mjekësi së bashku Elizabet Blekbërnin, Karol Grejderin dhe Xhek Shostakun, për zbulimin e mënyrës se si kromozomet janë të mbrojtura nga telomeret dhe enzimat telomerase”, tha Hanson.

Blekbërn është me origjinë nga Australia, ndërsa Shostak nga Britania.

Në arsyetimin për ndarjen e çmimit, instituti tha se tre shkencëtarët kanë “zgjidhur një problem të madh në biologji”, respektivisht e kanë zbuluar mënyrën se si kromozomet kopjohen plotësisht gjatë ndarjes së qelizës dhe mbrohen nga degradimi.

Zbulimi i tyre ka implikime në kërkimet mbi kancerin dhe mënyrën se si funksionon procesi i plakjes.

Çmimi për mjekësi është i pari nga gjashtë çmimet Nobel për këtë vit, të cilat do të ndahen gjatë kësaj jave.

Të martën, më 6 tetor, ndahet çmimi për fizikë, të mërkurën për kimi, të enjten për letërsi, të premten për paqe, ndërsa të hënën, më 12 tetor, për ekonomi.

Çdo çmim e ka vlerën prej 1.4 milion dollarësh.

Si gjithmonë, komiteti asnjëherë nuk i zbulon emrat e kandidatëve për cilindo çmim, kështu që ka spekulime të shumta për fituesit e mundshëm.

Kjo vlen sidomos në rastin e të nominuarve për letërsi dhe për paqe, dy çmimet joshkencore, të cilat nuk mund të gjykohen nga standardet faktike shkencore.

Sa i përket letërsisë, agjencia AFP raportoi se është koha që të shpërblehet një shkrimtar spanjishtfolës. Emri që përmendet është i shkrimtarit peruan, Mario Vargas Llosa.

Për Çmimin Nobel për Paqe, i cili është më i njohuri dhe më i lakmuari, duket se këtë vit gara do të jetë e hapur. Është një numër rekord i 205 të nominuarve, por askush nuk është favorit.

Në mesin e të nominuarve janë edhe presidenti amerikan, Barak Obama, dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi. Për dallim nga çmimet tjera, ai për paqe shpallet në Oslo të Norvegjisë.

Çmimet Nobel u themeluan në vitin 1901, në pajtim me dëshirën e shpikësit suedez, Alfred Nobel, njeriu që zbuloi dinamitin.

Nobeli përcaktoi që çmimet t’i nderojnë ata individë, “nga të cilët gjatë vitit njerëzimi do të ketë më së shumti dobi”.