Shtimi i policisë në veri, i papranueshëm për serbët

Mitrovicë

Politikanët serbë të veriut të Kosovës kundërshtojnë shtimin e pranisë së Policisë së Kosovës në atë pjesë, duke e quajtur si tentim, që, përmes policisë, të zbatohet strategjia për veriun, por edhe dëshirë për t’u konfrontuar me serbët.

Paralajmërimet se me fillimin e muajit mars Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në veriun e Kosovës, kanë ngjallur reagimet e politikanëve serbë të veriut.

Ata kanë shfaqur dyshimet se një gjë e tillë është përgatitje e terrenit për zbatimin e strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut, pavarësisht se zyrtarët e UNMIK-ut tashmë e kanë mohuar një gjë të tillë.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb në veriun e Kosovës, thotë se shtimi eventual i pranisë së policisë së Kosovës në veri të lumit Ibër nga serbët do të nënkuptohet si tentim për disiplinimin e tyre.

“Mendoj se ky është tentim që përmes policisë të implementohet strategjia për veriun. Ky është vetëm hapi i parë, por ai nuk do të pranohet”.

“Serbët kanë të drejtë që sigurinë e tyre t’ua besojnë atyre që u besojnë dhe kjo nuk e nënkupton Policinë e Kosovës, e cila do të ishte pjesë e sistemit të vetëm të policisë dhe natyrisht nuk i nënkupton shqiptarët”,
shprehet Ivanoviq.

Por, Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë se serbët e kësaj pjese i kanë organet e qeverisjes lokale dhe se ato do të marrin një vendim lidhur me këtë çështje.

Sipas Jakshiqit, organet serbe të qeverisjes lokale, siç i quan ai, kanë marrëdhënie të mira me Policinë e Kosovës dhe duhet pasur kujdes që këto marrëdhënie të ruhen.

"Unë mendoj që strategjia, ta quaj ashtu, e Piter Fethit, nuk do të duhej t’i tensiononte marrëdhëniet në mes të banorëve lokalë që jetojnë këtu dhe Policisë së Kosovës”.

“Prandaj, mendoj se kjo strategji paraqet, thjesht, dëshirën për t’u konfrontuar me serbët, ndërkaq që ne, serbët, nuk e duam dhe nuk e dëshirojmë këtë në çfarëdo rasti. Sidoqoftë, ekzistojnë organet tona të pushtetit lokal dhe unë mendoj se ato do të gjejnë një përgjigje lidhur me këtë çështje ”,
thotë Jakshiq.

Ndërkaq, sipas Ivanoviqit, serbët deri më tash nuk kanë pranuar asgjë që u është imponuar me dhunë e presion dhe që ka rrezikuar interesat vitale të tyre.

Ai shpreh mendimin se edhe në të ardhmen, serbët do të refuzojnë përpjekje të tilla dhe se çdo tentim dhe çdo gjë që do të jetë pjesë e strategjisë, qoftë ajo edhe përgatitje për të, serbët nuk do ta pranojnë.

Po ashtu, Ivanoviq thotë se serbët në veri nuk do të frikohen nga, siç i quajti ai, kërcënimet e autoriteteve të Prishtinës dhe të disa subjekteve të bashkësisë ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe pakti i NATO-s.

“Serbët duhet t’i mbrojnë interesat e tyre vitale, por këtë do ta bëjnë gjithmonë në mënyrë demokratike, me mjete demokratike, me protesta, me metoda të mospranimit dhe të mosdëgjueshmërisë qytetare”.

“Mendoj se, të gjithë ata që dëshirojnë ta destabilizojnë situatën në veri dhe gjithashtu edhe në Kosovë, në përgjithësi dhe më gjerë, duhet t’i ndërpresin aktivitetet e tilla, sepse pasojat mund të jenë të paparashikueshme dhe shumë të rënda”,
thekson Ivanoviq.

Sidoqoftë, Ivanoviq paralajmëron se në mesin e muajit mars serbët do të organizojnë një miting të madh, në të cilin, sipas tij, në mënyrë plebishitare do ta shprehin vendimin dhe vullnetin e tyre për mospranimin e, siç i quajti ai, tentimeve për imponim me presion dhe dhunë të institucioneve të huaja dhe shtetit të huaj.