Strategjia kundër narkotikëve

Bimë narkotike (Fotografi ilustruese)

Zyrtarë qeveritarë thonë se ka filluar zbatimi i strategjisë kombëtare kundër narkotikëve, përkundër vërejtjeve në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se në Kosovë ka shenja të rritjes së tregut vendor të narkotikëve.


Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit për strategjinë ndërkombëtare kundër substancave narkotike potencon se në Kosovë, e cila fillimisht shihej si vend transit për substancat narkotike, tashmë ka shenja të rritjes së tregut vendor të narkotikëve.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke bërë përpjekje maksimale, brenda kushteve dhe mundësive të tyre, që të luftojnë trafikimin e mjeteve narkotike, edhe pse, sipas tyre, ende mbetet mjaft punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se si rezultat i forcimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë, tendenca e të qenët vend transit në trafikimin e narkotikëve ka shënuar rënie, por, në anën tjetër, konsumi i substancave narkotike në tregun vendor, sipas tij, ka shënuar rritje.

“Mund të themi se nga një vend transit, Kosova ka filluar të shndërrohet në një vend konsumues të substancave narkotike. Drogat, siç janë kanabisi dhe marihuana, trafikohen dhe konsumohen më së shumti”.

“Por, nëse i referohemi vetëm heroinës, gjatë dy vjetëve të fundit kemi pasur të konfiskuar mbi 44 kg heroinë në vitin 2008 dhe mbi 36 kg në vitin 2009”,
bën të ditur Sadriu.

Lidhur me narokitikët, Sadriu thotë se gjatë 2008-ës policia ka shënuar 203 raste dhe ka arrestuar 336 persona, si të dyshuar për involvim në trafikimin me substanca narkotike. Ndërkaq, gjatë vitit 2009 janë shënuar 272 raste, ku janë arrestuar 414 persona.

Ndryshe, në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për strategjinë ndërkombëtare kundër substancave narkotike është thënë se Policia e Kosovës vazhdon të bëjë përpjekje për të luftuar tregun e drogave, por, njëkohësisht, ajo vuan nga mjetet e kufizuara.

Kufizimi i mjeteve dhe mosqenia si prioritet i Qeverisë së Kosovës lufta kundër narkotikëve, sipas raportit, ngadalësojnë zbatimin në tërësi të strategjisë kombëtare kundër narkotikëve, të cilën e ka hartuar Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës, në korrik të vitit 2009.

Por, Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se lufta kundër narkotikëve është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

“Sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit janë prioritet absolut për Qeverinë e Kosovës. Në këtë kuadër, padyshim se hyn edhe luftimi i trafikimit me narkotikë. Ndërsa, vitin e kaluar, ashtu siç potencon edhe raporti, ne kemi qenë të fokusuar në hartimin e politikave strategjike, që adresojnë këtë fenomen”, sqaron Rexhepi.

Sipas tij, për zbatimin e dinamikës së paraparë në planin strategjik kundër narkotikëve, kërkohen tre vjet. Ai thotë se tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e strategjisë, siç është centralizimi i njësive policore rajonale kundër trafikimit të narkotikëve.

“Në kuadër të Departamentit të krimit të organizuar në Policinë e Kosovës, centralizimi i këtyre njësive ka dhënë rezultatet e para”.

“Vetëm në dymujorin e parë të këtij viti, policia ka hapur 34 raste dhe ka arrestuar 70 qytetarë të Kosovës dhe shtetas të huaj, të përfshirë në trafikimin me narkotikë. Po ashtu, ka bërë edhe konfiskimin e 15 kilogramëve heroinë dhe 35 kilogramëve drogë marihuanë”
, thotë Rexhepi.

Ndryshe, raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u bazuar në vlerësimet e UNICEF-it, thotë se në Kosovë janë rreth 20 mijë persona që përdorin heroinë.

Por, me një shifër të tillë nuk pajtohet defektologu Safet Blakaj, drejtues i qendrës mediko-psikoterapeutike “Labirinth” në Prishtinë, e cila trajton narkomanët.

“Kjo shifër, kur flasim për heroinë, është e stërtepruar. Në qendrën tonë ekzistojnë shënimet për 700 të regjistruar, të cilët kanë problem me heroinën”.

“Patjetër se ai numër është rreth 5-6 fish më i madh, që do të thotë se duhet të jetë rreth 5 deri në 6 mijë numri i përafërt. Ndërsa, nëse flitet edhe për drogat tjera, atëherë mund të arrihet në rreth 10-15 mijë përdorues të substancave tjera”,
thotë Blakaj.

Sidoqoftë, zoti Blakaj tërheq vërejtjen se gjatë vitit 2009 është shënuar ngritje e numrit të rasteve që kanë probleme me keqpërdorimin e kokainës dhe një gjë e tillë, sipas tij, është sinjal se duhet bërë përpjekje për parandalimin e depërtimit të kësaj substance në tregun kosovar të narkotikëve.