Irak: U mbajtën zgjedhjet parlamentare, përkundër dhunës

Bagdad

Irakianët kanë votuar në zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet u mbajtën përkundër dhunës, nga e cila u vranë së paku 38 persona. Të drejtë vote kishin 19 milionë irakianë, ndërsa do të zgjidhen 325 anëtarë të Parlamentit.

Shtetasit e Irakut sot i kundërshtuan bombat dhe sulmet e tjera, për të votuar në zgjedhjet e dyta parlamentare në këtë vend, prej invadimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në vitin 2003.

Në mesin e atyre që votuan në Bagdad ishte edhe ky person:

“Ne dëgjuam eksplodime në mëngjes. Kishte shumë shpërthime në orët e hershme të mëngjesit, afër shkollës që shërben si vendvotim, ndërsa më vonë shpërthimet dukeshin se janë afruar. Ka rënë edhe një predhë”.

“Por, shpërthimet nuk mund të na frikësojnë neve. Ne jemi popull me besim dhe ne do të votojmë, pavarësisht nga mesazhi që terroristët po përpiqen ta dërgojnë te ne”
, tha ky votues në Bagdad.

Një grua në moshë në vendin Kut i tha Radios Evropa e Lirë se votimi është përgjigjja e saj ndaj dhunës, që ia kishte marrë djalin.

“Po votoj pasi e kam humbur birin ti. Ky është kompensimi im. Unë e kam humbur birin, por nuk e kam humbur votën”, tha kjo grua.

Është raportuar se në ditën e votimit ka të vrarë nga dhuna në qytete, përfshirë Bagdadin, Falluxhën, Bukubën dhe Samarën.

Zëdhënësi për siguri në Bagdad, gjeneralmajori Kasim al-Musavi, tha se shumica e sulmeve me predha dhe me bomba ishin lansuar nga lagjet me shumicë sunite në qytet dhe përreth tij.

Kryeministri Nuri al-Maliki, i cili votoi në Zonën e Gjelbër, të fortifikuar në Bagdad, sulmet i përshkroi si “zhurmë” dhe tha se ato nuk e dëmtojnë moralin e irakianëve.

“Irakianët e kanë parë rëndësinë e votave të tyre. Këto vota do të kenë rol në formimin e Qeverisë dhe Parlamentit të ri dhe do të ndikojnë në procesin politik. Prandaj, i ftoj irakianët që të marrin pjesë dhe ta bëjnë zgjedhjen e drejtë”, tha Nuri al-Maliki.

Afro 6,200 kandidatë nga më se 80 parti politike po garojnë për 325 vende të deputetëve.

Mijëra ushtarë dhe policë irakianë, të mbështetur nga forcat e Shteteve të Bashkuara, janë vendosur në 18 provincat e Irakut, me qëllim që të mbrohen votuesit nga sulmet e militantëve, që po përpiqen t’i shkatërrojnë zgjedhjet.

Votuesit mund të zgjedhin ndërmjet partive islamiste shiite, që kanë dominuar në politikën e Irakut prej përmbysjes së regjimit të Sadam Huseinit, dhe partive që ofrojnë më tepër qëndrim sekular.

Votimet po mbahen më pak se gjashtë muaj para se Shtetet e Bashkuara t’i tërheqin forcat e tyre luftarake nga Iraku, që shihet si test kryesor për stabilitet dhe pajtim kombëtar.

Herën e fundit, irakianët dolën në zgjedhjet parlamentare në vitin 2005, kur sunitët i bojkotuan votimet dhe duket se kjo çoi në disa vite të dhunës sektare, e cila u dobësua në 18 muajt e fundit. (F.B.)