Tensionohen raportet Turqi-Armeni


Turqia reagoi me zemërim ndaj një vendimi të Parlamentit suedez për njohjen si gjenocid të vrasjeve në masë të armenëve nga forcat turke, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Parlamenti miratoi rezolutën të enjten, pavarësisht kundërshtimeve nga Qeveria e Stokholmit.

Ankaraja menjëherë tërhoqi ambasadorin e saj nga Suedia, për shkak të kësaj rezolute, që e konsideroi të bërë për “llogari politike”.

Thuhet se kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ka anuluar vizitën e tij në vendet skandinave, të planifikuar për javën e ardhshme.

Zergun Koruturk
Ambasadorja e Turqisë në Suedi, Zergun Koruturk, e konsideroi votimin e së enjtes si të pavend.

“Jam shumë e zhgënjyer. Fatkeqësisht, mendoj se parlamentarët vepruan duke menduar se janë më shumë historianë sesa parlamentarë dhe kjo është me të vërtetë e pavend”.

“Kjo do të ketë efekte të mëdha në marrëdhëniet tona dhe nuk mendoj se mund të kompensohet për një kohë të shkurtër”
, tha ambasadorja Koruturk.

Armenët thonë se mbi 1.5 milion prej tyre u vranë nga sundimtarët osmanë turq, në 1915-ën, gjatë një fushate asgjësimi.

Turqit e pranojnë se janë vrarë shumë armenë, por ata e kundërshtojnë termin gjenocid, duke thënë se numri i të vdekurve është ekzagjeruar.

Suedia i bashkohet listës në rritje të vendeve që e njohin masakrën si gjenocid, së bashku me Rusinë, Francën dhe Zvicrën.

Dy nga deputetët e Parlamentit, Gustav Bliks dhe Hans Linde, të Partisë së Majtë në Suedi, dhanë dhe argumentet në lidhje me këtë rezolutë.

“Kjo nuk duhej të vendosej nga Parlamenti. Është çështje për historianët dhe jo për politikanët që të vendosin”
, tha Bliks.

“Nëse viktimat nuk janë pranuar dhe dëshmojnë për vuajtjet për të provuar të vërtetën, atëherë kjo traumë mund të shkojë me gjenerata”, tha Linde.

Disa shprehën shqetësimin se vota mund t’i komplikojë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Suedisë, e cila përkrahu Ankaranë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild, tha se efekti do të vijojë në këtë proces derisa marrëdhëniet të stabilizohen mes Turqisë dhe Armenisë.

“Jam shumë i shqetësuar. Jam shumë i merakosur për pasojat. Mora një raport nga Turqia, ku opozita dëshiron që normalizimi i marrëdhënieve mes Armenisë dhe Turqisë të ndalojë. Mendoj se politizimi i historisë e bën më të vështirë pajtimin”,
tha Karl Bild.

Edhe nga Ankaraja, gjithashtu, vijnë të njëjtat mesazhe për sa i përket vijueshmërisë së marrëdhënieve mes Armenisë dhe Turqisë. (A.Ç.)