Zgjedhjet serbe në Kosovë

Foto arkiv (Posterë gjatë fushatës së zgjedhjeve serbe të 11 majit, 2008).

Serbët e veriut të Kosovës kundërshtojnë zgjedhjet e paralajmëruara nga institucionet e Kosovës në komunën e re në veri të Mitrovicës. Ata thonë se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara nga Beogradi për 30 maj.




Strategjia e Qeverisë së Kosovës dhe e Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës parasheh që së shpejti të organizohen zgjedhjet lokale në komunën e re në veriun e Mitrovicës.

Por, përfaqësuesit politikë të serbëve në veri të lumit Ibër kanë kundërshtuar organizimin e zgjedhjeve nga institucionet e Kosovës dhe kanë thënë se do të dalin vetëm në zgjedhjet që i organizon Beogradi zyrtar.

Marko Jakshiq, lider i serbëve në veriun e Kosovës, tha se zgjedhjet nën organizimin e Beogradit, tashmë janë paralajmëruar të mbahen më 30 maj të këtij viti.

“Një gjë e tillë tashmë është në regjinë e Kryesisë së Kuvendit të Serbisë, ku po udhëhiqet një parapërgatitje për fillimin e fushatës në mes të partive politike në Mitrovicë”.

“Ndërkaq, kjo që po bëjnë Hashim Thaçi dhe Piter Feith, është në kundërshtim me interesat e shtetit të Serbisë, Kishës serbe dhe popullit serb”
, tha Jakshiq, duke i quajtur kolaboracionistë të gjithë ata që marrin pjesë në procesin zgjedhor të organizuar nga institucionet e Kosovës.

Edhe Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se zgjedhjet lokale për komunën e Mitrovicës, të cilat i ka paralajmëruar Serbia, janë me rëndësi të veçantë për serbët.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që përgatitjet për zgjedhje të bëhen në mënyrën e duhur. Mendoj se e gjithë vëmendja është e kthyer kah ne dhe zgjedhjet, të cilat pritet të jenë shumë më të rëndësishme, sesa që kanë qenë deri më tash”.

“Në këtë mënyrë do t’iu dërgojmë porosi të gjithë atyre që nuk na e duan të mirën dhe të gjithë atyre që mendojnë ta integrojnë veriun me dhunë, apo edhe atyre që mendojnë se mund të bëjnë plane të reja për veriun e Kosovës”
, tha Oliver Ivanoviq.

Për serbët do të jenë të pranueshme vetëm zgjedhjet që organizohen nga Serbia, tha edhe Millan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb i veriut të Kosovës. Ai tha se serbët që jetojnë në veri të Kosovës, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i kanë paralajmëruar institucionet e Kosovës.

“Me siguri, mund të them se serbët në veriun e Mitrovicës nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i organizojnë institucionet e Kosovës, sipas Planit të Ahtisarit. Serbët nuk i pranojnë ato institucione. Ata i kanë institucionet e veta dhe shtetin e tyre dhe do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat i organizon Republika e Serbisë”
, theksoi Millan Ivanoviq.

Në anën tjetër, edhe disa qytetarë serbë të Mitrovicës kanë vlerësime të ngjashme lidhur me zgjedhjet. Millena Mitroviq u shpreh pro zgjedhjeve që i organizon Beogradi zyrtar.

“Serbët në këto hapësira ende e konsiderojnë Kosovën si pjesë të shtetit të Serbisë dhe ne do t’i përkrahim dhe do të marrim pjesë në zgjedhjet, të cilat i organizon Beogradi”
, tha ajo.

Ndërkaq, Nikolla Llempiq tha se e kundërshton organizimin e zgjedhjeve nga institucionet e Kosovës.

“Unë nuk e di se sa ka legjitimitet Qeveria e Kosovës që të marrë masa në këtë drejtim. Unë jam i sigurt që populli në këtë hapësirë nuk do të bie në ato provokime, sepse, megjithatë, veriu i Kosovës është i ndryshëm nga jugu”, tha Llempiq.

Sipas këtij qytetari, është e pamundur që në veri të Kosovës të zbatohet qeverisja nga institucionet e Kosovës.

Sidoqoftë, liderët serbë të veriut të Kosovës kanë paralajmëruar një tubim për 24 maj, në shenjë proteste ndaj strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës.