Klinton në Moskë për çarmatimin

Moskë - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, 18 mars 2010.


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, arriti në Moskë, këtë mëngjes, për të folur me presidentin rus, Dimitri Medvedev, dhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, për dy prioritete të politikës së jashtme: traktatin e ri të armëve bërthamore dhe çështjen e Iranit.

E gjithë vëmendja drejtohet nga Klinton, nëse më në fund do të arrijë negociata për pasimin e traktatit të reduktimit të armëve strategjike, firmosur në vitin 1991 dhe që i mbaroi afati dhjetorin e kaluar.

Udhëtimi zyrtar i Klintonit në Moskë vjen pasi dy qeveritë thonë se mes tyre është arritur një urë lidhëse në dallimet që kanë.

Por, Xhejms Dobins, ish-ndihmëssekretar i Shtetit për Evropën, thotë se kjo nuk do të thotë se Klinton do të kthehet në Uashington me një marrëveshje në dorë.

“Kjo marrëveshje gjithmonë ka qenë disa javë larg dhe ende në fund është e pamundur që të mbyllen dallimet e mbetura”.

“Mendoj se rusët do të thonë se ende ka disa çështje të pazgjidhura dhe se ata ende shpresojnë se mund ta shtyjnë SHBA-në më tej në këto çështje, por që diferencat nuk janë aq të mëdha dhe ka një shans se do të ketë rënie dakord”
, thotë Dobins.

Steven Pifer, një ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë, i cili tani drejton iniciativën e kontrollit të armëve në Institutin Brukings, vë në dukje se plani i traktatit START mori më shumë se gjashtë vjet për të arritur një marrëveshje dhe se procesi aktual ka vetëm nëntë muaj që ka filluar.

“Mendoj se është lajm i mirë që Kremlini ka nisur të flasë në lidhje me nënshkrimin e traktatit. Përshtypja ime në fakt është se, përderisa Klintoni do të nisë të flasë rreth negociatave, kjo do të thotë se nuk jemi në gjendje krize bisedimesh”, thotë Pifer.

Shumë vëzhgues thonë se marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës tashmë i kanë dhënë frytet dhe do të vijojnë kështu.

Në këndvështrimin e Dobinsit, nuk do të jenë gjithmonë mosmarrëveshjet mes ish-armiqve të luftës së ftohtë.

“SHBA-ja nuk do të bëjë lëshime të rëndësishme për shumë gjëra, që rusët do të donin t’i shihnin, kështu që ka gjithmonë kufizime”,
thotë Dobins.

Irani është fokusi tjetër kryesor i Klintonit në Moskë, ndërkohë që Rusia e ka bërë të qartë se nuk dëshiron që Irani të mbajë armë bërthamore dhe se koha për sanksione po afrohet.

Në lidhje me këtë çështje, Pifer thotë:

“Unë mendoj se rusët janë të përgatitur për të miratuar sanksione të forta, që ata i kanë pasur në të kaluarën kur vinin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”.

“Unë dyshoj se në fund nuk do të jetë kaq e vështirë sa mendon Uashingtoni”
, thotë Pifer, duke shtuar se në Moskë, Irani bërthamor nuk është një “skenar horror”, siç është në Uashington. (A.Ç.)