Ç’ndodh me dialogun social?

Pamje në Prishtinë

Mundësia e fillimit të dialogut social në Kosovë po përcillet me debate dhe polemika mes subjekteve që përfaqësohen në Këshillin Ekonomik-Social, për shkak të numrit të anëtarëve që do t’i përfaqësojnë ato. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vlerëson se përfaqësimi i saj është i varfër dhe konteston përfaqësimin e Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, e cila thotë se i ka përmbushur kriteret për përfaqësim. Ndërkaq, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, vlerëson se përfaqësimi është real.

Vlerësimet e Komisionit të Pavarur për rivlerësimin e dokumentacionit të organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, lidhur me përmbushjen e kritereve për përfaqësim në Këshillin Ekonomik-Social, janë reale, thotë Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.

Ai paralajmëron se dialogu social do të fillojë, pavarësisht pakënaqësive të shprehura nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për shkak të përfaqësimit të saj, si punëmarrës, me vetëm tre anëtarë në Këshillin Ekonomik-Social.

Ndryshe, si punëmarrës në këtë këshill, me dy anëtarë do të përfaqësohet edhe Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, ndërkaq si punëdhënës do të përfaqësohen Oda Ekonomike e Kosovës me katër anëtarë dhe Aleanca Kosovare e Biznesit me një anëtar.

Ministri Rashiq thotë se kushtet për fillimin e dialogut social tashmë janë krijuar.

“Dialogu social, normalisht se do të fillojë. Pas rivlerësimit që kemi bërë, mendoj se i kemi plotësuar kushtet, pavarësisht se ndoshta disa partnerë socialë nuk janë të kënaqur dhe mendojnë së përfaqësimi i tyre duhet të jetë më i lartë”.


“Por, sipas të dhënave, unë jam i bindur që në këtë moment gjendja e përfaqësimit në dialog social dhe e përfaqësimit në Këshillin Ekonomik- Social, është e saktë dhe është reale”,
thotë Rashiq.

Por, me ministrin Rashiq nuk pajtohen përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Nënkryetari i këtij unioni, Xhafer Xhaferi, thotë se BSPK-ja kërkon pjesëmarrjen në Këshillin Ekonomik-Social me pesë anëtarë dhe e vlerëson të padrejtë vendimin që ajo të marrë pjesë me vetëm tre anëtarë.

Sipas Xhaferit, Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, kundërshtare e BSPK-së, nuk i ka plotësuar kriteret për të qenë partnere në Këshillin Ekonomik-Social.

“Ai komision nuk e ka vlerësuar gjendjen reale. Do të thotë, sipas tyre, konfederata shkon me dy anëtarë. Pikërisht Qeveria, përmes kësaj, duke krijuar sindikata ‘të verdha’, siç u thonë në Perëndim, dëshiron ta dobësojë fuqinë e subjekteve, në këtë rast, të sindikatave, si përfaqësuese të punëtorëve
”, shprehet Xhaferi.

Në anën tjetër, Ali Dragusha, drejtues i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, e kundërshton zotin Xhaferi, duke theksuar se konfederata që ai përfaqëson i ka plotësuar kriteret e kërkuara për përfaqësim në Këshillin Ekonomik-Social.

“Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës i ka plotësuar kriteret e dialogut social për formimin, rikonstituimin dhe riorganizimin e Këshillit Ekonomik-Social. Ne i kemi plotësuar (kriteret) qysh nga korriku i vitit të kaluar dhe KSLK-ja është dashur që t’i ketë, së paku, tre përfaqësues”.

“Mirëpo, bazuar në atë që ne nuk dëshirojmë asnjëherë të jemi pjesë e bllokimit të procesit dhe dialogut, ne sërish do të jemi pjesë, me qëllim që të kontribuojmë që dialogu dhe Këshilli Ekonomik-Social të funksionojnë”,
sqaron Dragusha.

Ndryshe, zoti Xhaferi thotë se BSPK-ja nuk do të marrë pjesë fare në Këshillin Ekonomik-Social. Ai shfaq druajtjen se dialogu social mund të bllokohet.

“Me këso raportesh, do të thotë, me këtë trajtim dhe mosrespektim të akteve normative, të cilat i miraton Qeveria, nuk mund të jemi pjesë e këtij dialogu”,
deklaron Xhaferi.

Dialogu social deri më tash ka qenë i bllokuar për shkak të pakënaqësive që ka pasur Oda Ekonomike e Kosovës, lidhur me përfaqësimin në Këshillin Ekonomik-Social.

Por, tashmë ajo do t’i përfaqësojë punëdhënësit me katër anëtarë në këtë këshill. Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës shpjegon:

“Ne do të marrim pjesë dhe do t’i përfaqësojmë punëdhënësit në mënyrën më dinjitoze. Nëse BSPK-ja mendon se nuk është ndarje e drejtë, atëherë ata mund të argumentojnë ende. Mirëpo, është rreziku i defaktorizimit, duke pasur parasysh se tani kemi vendimin e një komisioni që ka qenë komision i pavarur”.


Sidoqoftë, ministri Rashiq vlerëson se mospjesëmarrja eventuale e BSPK-së në Këshillin Ekonomik-Social do të jetë në kundërshtim me interesat e punëtorëve dhe ai shfaq shpresën se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Unë, në mënyrë absolute, shpresoj se ata do të marrin pjesë. Dialogu ndoshta nuk do të jetë i kompletuar pa ta. Normalisht që dialogu social vazhdon dhe do ta kemi atë”.

“Unë, përsëris, do të jem shumë i gëzuar nëse merr pjesë edhe BSPK-ja, por gjithsesi, nuk mund të jemi peng i një individi, sepse kjo është politikë e Qeverisë dhe e shoqërisë. Nuk mund të varet e gjithë politika dhe mbrojtja e punëtorëve vetëm nga një person”
, përfundon ministri Rashiq.