Dhoma e Përfaqësuesve voton reformën shëndetësore

Selia e Kongresit, Uashington

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u bëri një thirrje urgjente ligjvënësve nga Partia Demokratike e tij, që ta kalojnë propozim-ligjin për reformën shëndetësore, që është pjesa më e rëndësishme e agjendës së brendshme të administratës së tij.

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për rishikimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara bëhet pas një viti të debateve të ashpra, të pengesave legjislative dhe të ndarjeve në baza partiake.

Propozim-ligji është një kompromis ndërmjet versioneve rivale të legjislacionit në Dhomë dhe në Senat.

Një ditë para votimit, presidenti Obama vizitoi ligjvënësit udhëheqës demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, në një takim që tregonte se administrata kishte bërë mjaft duke lobuar në prapaskenë për kalimin e planit.

“Ne kemi debatuar për kujdesin shëndetësor me dekada. Tash po bëhet një vit që debatuam. Është në duart tuaja. Është koha që reforma për kujdes shëndetësor në Amerikë të kalojë dhe unë kam besim se ju do ta bëni këtë”,
tha Barak Obama.

Zoti Obama theksoi se reforma i sjell Shtetet e Bashkuara më afër se kurrë, që për të gjithë shtetasit të sigurohet mbrojtje shëndetësore.

Sipas këtij plani, mendohet se në mbrojtje shëndetësore do të përfshihen afro 32 milionë amerikanë, që aktualisht nuk kanë sigurim shëndetësor.

Vlerësohet se në përgjithësi, nëse kjo reformë miratohet, 95 për qind e amerikanëve do të kenë sigurim shëndetësor.

Por, derisa Obama po fliste me ligjvënësit, mijëra protestues ishin tubuar jashtë Kongresit për ta kundërshtuar këtë plan.

Shumë prej tyre kërkonin refuzimin e planit, ndërsa disa të tjerë, ndër të cilët më e zëshme ishte një pakicë republikane, vlerësonin se Obama dhe propozimi i tij ishin “socialistë”.

Në këtë atmosferë të ngritjes së temperaturës, ligjvënësi demokrat, Emanuel Klever, ishte bllokuar nga demonstruesit.

Lideri i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Stenli Hojer, tha se kongresmeni homoseksual, Barni Frenk, dhe ligjvënësi zezak, Xhon Luis, u ishin nënshtruar keqtrajtimeve seksuale dhe raciste, incidente këto, që ai i kishte dënuar si “urrejtje”.

Për ligjvënësit, që kanë shqetësime se mbështetja për reformën shëndetësore mund të ketë çmim politik në zgjedhjet për Kongres në muajin nëntor, Obama tha se votimi për legjislacion ishte gjë e drejtë

“Unë e di se kjo është votë e vështirë. Aktualisht kam besim, pasi kam biseduar me disa prej jush në mënyrë individuale, se kjo do të jetë mençuri politike për ta bërë”, theksoi Barak Obama.

Presidenti Barak Obama e ka vënë gjithë kapitalin e tij politik në reformat e sistemit shëndetësor.

Mosarritja për ta fituar mbështetjen për kalimin e reformës, do të shënonte dështimin më të madh të administratës së tij në çështjen kryesore të agjendës së brendshme politike.

Stenli Hojer u tha reporterëve se demokratët mendojnë se mund t’i tubojnë 216 vota, të nevojshme që reforma të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve.
(F. B.)