Obama viziton Afganistanin

Afganistan, 28 mars 2010


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka qëndruar për një vizitë të shkurtër dhe të paparalajmëruar në Afganistan. Pas takimit me presidentin e këtij vendi, Hamid Karzai, Obama u tha gazetarëve se “populli amerikan është i inkurajuar me progresin e bërë”.

Presidenti amerikan, me këtë rast, kërkoi nga Karzai të ”vazhdohet me progresin” në frontin civil, duke përfshirë edhe qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit.

Obama ftoi Karzain për bisedime në Uashington në muajin maj, ndërsa presidenti i Afganistanit u falënderua për ndihmën dhe vuri në pah se do të vazhdojë partneriteti.

Obama gjithashtu iu drejtua trupave amerikane në aeroportin e Bagramit në veri të Kabulit, duke u thënë se ai është i bindur se ata do të kenë sukses në misionin e tyre.

“Do të ketë disa ditë të vështira para nesh. Do të ketë kthim prapa. Ne përballemi me armik të vendosur. Por, ne gjithashtu e dimë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk tërhiqen kur fillojnë diçka”, tha Obama.

Obama u takua edhe me komandantin e trupave amerikane dhe të NATO-s, gjeneralin Stenli Mekristall, si dhe ambasadorin amerikan, Karl Eikenberi, përpara se të largohej para agimit.

Your browser doesn’t support HTML5

Vizita e presidentit Obama në Afganistan