Shpërthime në Dagestan

Dagestan, 31 mars 2010.

Policia tha se së paku 12 vetë janë vrarë nga dy shpërthime në Republikën ruse të Dagestanit, në Kaukazin Verior, ndërkohë që janë plagosur më se 20 të tjerë.

Një zëdhënës i policisë tha se një sulmues i dyshuar vetëvrasës e ka aktivizuar njërin nga shpërthimet, që ndodhën sot në qytetin Kizlyar.

Ai njoftoi se ndër viktimat është edhe një zyrtar i lartë i policisë.

Shpërthimet ndodhën afër një shkolle dhe afër selisë së Ministrisë së Brendshme Lokale. Në kohën e shpërthimit në shkollë nuk kishte nxënës.

Të hënën, nga dy sulme vetëvrasëse me bomba në metronë e Moskës, u vranë 39 njerëz.

Shërbimi Federal i Sigurimit të Rusisë tha se sulmueset e dyshuara vetëvrasëse kishin lidhje me militantët në Kaukazin Verior.

Ndërkaq, kryeministri i Rusisë, Vlladimir Putin, tha se një grup i vetëm mund të qëndrojë prapa sulmeve në Moskë dhe atyre në Dagestan.