Klubi për Politikë të Jashtme ka publikuar raportin e parë periodik vlerësues “Liberalizimi i vizave dhe marrëveshja e tregtisë BE-Kosovë”. Në raport vlerësohet se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa pozitivë në çështjen e liberalizimit të vizave, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë.
Klubi për Politikë të Jashtme në vlerësimet e bëra për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ka ardhur në përfundim se Prishtina duhet të bëjë edhe shumë punë.
Por, sipas këtij klubi, edhe Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, sidomos në fushën e tregtisë.
Besa Luci, hulumtuese në Klubin për Politikë të Jashtme ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në përpilimin e planit të veprimit për implementimi e udhërrëfyesit për procesin e liberalizimit të vizave.
Zonja Luci ka përmendur disa të arritura, por edhe ngecjet e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim.
“Është paraqitur nevoja që për momentin të punohet në dy çështje kyçe, që është procesi i ripranimit dhe riintegrimit të personave të riatdhesuar, si dhe siguria e dokumenteve. Ne kemi bërë monitorimin dhe vlerësimin e aktiviteteve të parapara në planin e veprimit”.
“Sa i takon procesit për ripranim, ka afate kohore, të cilat janë tejkaluar dhe ka pasur progres. Janë nënshkruar 5-6 marrëveshje të ripranimit me shtetet e BE-së. Megjithatë, vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve nuk mjafton. Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë se janë të afta që të menaxhojnë edhe rintegrimin e personave”, ka thënë Besa Luci.
Përfaqësuesit e Klubit për Politikë të jashtme, derisa kanë publikuar raportin, që ndryshe e kanë quajtur “barometri monitorues” që mat rrugën e Prishtinës drejt BE-së, kanë vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë përkushtim më të madh në respektimin e afateve.
Besa Luci ka theksuar se institucionet duhet të kenë planifikim real të mundësive të tyre.
“Gjithmonë duhet të konsiderohen se sa janë kapacitetet brenda institucioneve që të punohet drejt implementimit të atyre kërkesave, për shkak të, siç thuhet, momentit politik nëpër të cilin po kalon Kosova”.
“Hetimet në disa ministri të Qeverisë së Kosovës krijojnë hapësirë për ngritjen e dyshimeve për kredibilitetin politik dhe moral të kësaj qeverie për të negociuar çfarëdo çështje me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Luci.
Në anën tjetër, Klubi ka ngritur shqetësimin se në këtë fazë Kosova mund të ngecë në negocimin e çështjeve të ndryshme me BE-në, për shkak të hetimeve që EULEX-i po kryen në një nga ministritë.
Hulumtuesi në Klubin Politikë të Jashtme, Ardian Arifaj, ka thënë se Kosova me nivelin e lartë të korrupsionit, nuk mund të inicojë çështje me BE-në.
“Është shqetësuese për ne dhe është me rëndësi që të jemi partnerë seriozë në dialogun me BE-në, partnerë bindës dhe për atë duhet të kemi një qeveri që ka kredibilitet, që ka kompetencë për të negociuar me BE-në”.
“Jemi të shqetësuar që një qeveri, disa ministri të së cilës janë nën hetime për korrupsion, a mund të ketë kompetencë, autoritet për ta negociuar rrugën e Prishtinës drejt BE-së”, ka thënë Arifaj.
Në raportin periodik vlerësues të Klubit për Politikë të Jashtme, thuhet se Kosova ka nevojë për marrëveshje të tregtisë me BE-në, ndërsa arritja e këtij qëllimi, sipas Hajrullah Çekut, është perspektivë shumë e largët.
“Kosova është shumë larg, me vite larg për të arritur një marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian”, është shprehur Çeku.
Ndryshe, Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk është përfshirë në procesin zyrtar të Komisionit Evropian për liberalizimin të vizave, kryesisht për shkak të mosnjohjes së statusit të Kosovës nga ana e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.