Bashkësia Islame e Kosovës paralajmëron se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të shprehet për çështjen e bartjes së shamive në institucionet arsimore. MASHT dhe KMDLNJ thonë se mendimi i saj do t'i qartësonte dilemat.
Bashkësia Islame e Kosovës i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit që t'i shfuqizojë pikat e udhëzimeve administrative, me të cilat ndalohet bartja e uniformës fetare nëpër institucionet arsimore në Kosovë dhe ka paralajmëruar se, në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, do ta çojë çështjen para Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësues të Bashkësisë Islame vlerësuan se përmes këtyre udhëzimeve, besimtarëve myslimanë në Kosovë po u mohohet e drejta e shkollimit. Kryetari Naim Tërnava shprehu bindjen se instanca më e lartë juridike në Kosovë do të vendosë në favor të institucionit që ai drejton.
“Besoj se edhe Gjykata Kushtetuese, mirëpo edhe vetë Ministria e Arsimit, do ta rishikojë edhe një herë këtë udhëzim administrativ që e ka marrë dhe do ta tërheqë. Sigurisht, të gjitha gjërat do të vijnë në vendin e vet”, u shpreh Tërnava në një konferëncë për media.
Paralajmërimet e Bashkësisë Islame për të nisur procedurat gjyqësore ndaj udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, vijnë pas reagimeve që kanë nxitur këto udhëzime te një pjesë e myslimanëve në Kosovë.
Mirëpo, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, udhëzimi i nxjerrë në muajin maj të këtij viti, përkon me Kushtetutën e Kosovës, e cila, sipas tyre, e përcakton Kosovën si shtet laik.
Në një bisedë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj, pati shprehur gatishmërinë që të marrë parasysh edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë çështje.
“Mendoj se këto janë çështje, të cilat u takojnë institucioneve të tjera, që të interpretojnë kufirin në mes të respektimit të të drejtave të njeriut dhe respektimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të natyrës së institucioneve publike në Republikën e Kosovës. Prandaj, unë jam i hapur për situata të tilla. Mua më mbetet vetëm ta respektoj Kushtetutën - formën, se si juristët dhe zyra ligjore e Ministrisë së Arsimit e interpreton”, pati thënë ai.
Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë thonë se interpretimi i kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese do të sillte qartësi dhe do të mundësonte vlerësimin se a janë shkelur apo jo të drejtat e njeriut me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, tha se dokumentet juridike në fuqi, si Kushtetuta e vendit dhe ligjet e caktuara, lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, kur bëhet fjalë për bartjen e shamive dhe simboleve të tjera fetare nëpër institucione arsimore.
Shala theksoi nevojën për marrjen e një vendimi në nivel vendi, i cili do ta rregullonte këtë çështje.
“Duhet të merret një qëndrim unik për tërë territorin e Kosovës, për të gjitha shkollat dhe institucionet arsimore. Atëherë, mund të flasim nëse është shkelje e të drejtave të njeriut apo jo”, tha Shala.
Ne e kemi edhe Gjykatën e Strasburgut dhe shumë vija të tjera...
Mirëpo, kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, shprehu vendosmërinë për ta çuar çështjen edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Ne e kemi edhe Gjykatën e Strasburgut dhe shumë vija të tjera, të cilat do t’i ndjekim dhe nuk do të ndalemi në këtë drejtim”, tha Tërnava.