Përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës dhe analistët politikë në Prishtinë shprehen pesimistë lidhur me, siç thuhet, dinamizmin institucional të procesit të përmbushjes së kritereve për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ditë më parë, autoritetet evropiane theksuan se në rast se përmbushen dy kriteret më të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli zyrtar për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, dialogu për këtë çështje do të mund të niste në shtator të këtij viti.
Mundësia që, deri në afatin e fundit para publikimit të raportit të progresit të vitit 2010 për Kosovën, qeveria e vendit të miratojë legjislacionin lidhur me riatdhesimin dhe riintegrimin e personave të riatdhesuar, sipas kryetares së Komisionit për integrime evropiane në Kuvendin e Kosovës, Zylfie Hundozi, është minimale.
Ajo thotë se ligji për riintegrimin e personave të riatdhesuar ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.
“Ligji për mbikëqyrjen e riatdhesimit të personave në praktikë nuk ka ardhur ende dhe unë e pashë që në buxhet nuk janë ndarë të hollat”, thotë Hundozi.
Të martën në Kosovë përfundoi takimi i parë i dialogut të procesit të stabilizim-asociimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni, zbatimi i legjislacionit që ka të bëjë me këto çështje, por edhe miratimi e zbatimi i legjislacionit të nevojshëm për nisjen e procesit të liberalizmit të vizave, u përmendën si sfida kryesore për institucionet kosovare.
Mirëpo, Hundozi shpreh bindjen se ekzekutivi kosovar nuk ka vullnet politik për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Nuk mund ta luftojë korrupsionin dikush që është vetë i korruptuar. Po mendoj se dihet bastisja prej EULEX-it në Ministrinë e Transportit. Si mund ta luftojnë ata korrupsionin kur janë vetë të korruptuar? Kjo është absurde”, thekson Hundozi.
Autoritetet kosovare, megjithatë, shprehin përkushtimin e tyre për t’i përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Analisti për çështje politike, Ismail Hasani, vlerëson se sfidat në këtë drejtim mbesin të shumta.
I pyetur për efektet që mund të kenë të arriturat e deritashme të Kosovës në përmbushjen e kritereve për integrim në njohjet eventuale të shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ai thotë:
“Problemi është te kryerja e detyrave të shtëpisë së institucioneve kosovare. Do të thotë, lufta kundër korrupsionit, zgjidhja e problemeve të tjera, integrimi i pjesës veriore të Kosovës në jetën institucionale të Kosovës dhe problemet e tjera që janë të lidhura me demokratizimin e jetës politike në Kosovë”.
Raporti i ardhshëm i progresit për Kosovën pritet të publikohet në vjeshtën e këtij viti. Vlerësimet e Komisionit Evropian për arritjet e bëra të institucioneve kosovare përgjatë një viti thuhet se mund të merren si një lloj skice e parë për raportin final të progresit.