Presidenti serb, Boris Tadiq, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar presidenca serbe.
Deklarata vjen nga kabineti i kryetarit serb në kohën kur në media janë shtuar shkrimet se Tadiqi është i gatshëm ta njohë shtetin e Kosovës nëse përmbushen disa kushte.
Sipas gazetës kroate “Novi List”, e cila citon burime pranë përfaqësuesve diplomatikë serbë, Tadiqi do ta pranojë shtetin e Kosovës nëse plotësohen tri kushte: “eksterritorialiteti i manastireve ortodokse serbe në Kosovë, një status special për serbët në jug të lumit Ibër dhe vazhdimi i status quo-s për veriun e Kosovës”.
E përditshmja kroate thekson se në prag të debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Serbia po i dërgon bashkësisë ndërkombëtare sinjale “të reja të ndryshme nga të mëhershmet dhe të papritura”.
Në të njëjtën frymë kanë qenë dhe disa shkrime të botuara në disa media serbe.(i.b)