Kërkojnë trajtim të barabartë

Mitrovicë

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me formatin e bisedimeve eventuale mes tyre, ato duhet dhe do të jenë të natyrës teknike, të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, thonë politikanët serbë të Kosovës.

Por, ata theksojnë se Beogradi dhe Prishtina duhet të kenë kujdes që të mos i favorizojnë aspiratat e vetëm serbëve që jetojnë në anën veriore të lumit Ibër dhe t’i anashkalojnë serbët që jetojnë në anën jugore të këtij lumi.

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, thotë se në mes të serbëve ekzistojnë pikëpamje të ndryshme.

Rada Trajkoviq
“Sa u përket serbëve të veriut të Kosovës dhe atyre që jetojnë nën lumin Ibër, dallimet ekzistojnë, në shkallën që do ta quaja të kompetencave, të asaj hapësire të decentralizuar të Kosovës”.

“Unë mendoj se, pavarësisht se ku gjendemi, shkalla e autonomisë sonë duhet të jetë identike, pa krijuar ndonjë kompetencë më tepër në veri, krahasuar me serbët që jetojnë në Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Ranilluk, Kllokot e kështu me radhë”
, thekson Trajkoviq.

Politikani tjetër serb nga Kosova, Rangjell Nojkiq, vlerëson se dallimet në qëndrime në mes të serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës dhe atyre që jetojnë në jug të vendit, tashmë janë vërejtur e shqyrtuar nga Beogradi dhe, sipas tij, gjërat do të ndryshojnë sa i përket qasjes së Beogradit zyrtar.

“Është fakt se disa bashkësi të komunave, apo sido që të quhen ato, tashmë kanë pasur disa takime të tyre dhe po kërkojnë dorëheqjen e Tadiqit dhe të udhëheqësisë në Beograd”.
...Beogradi do të kujdeset në mënyrë të barabartë për serbët e të dyja anëve të Ibrit.

“Një gjë e tillë flet qartë se ata janë të vetëdijshëm për faktin se qëndrimi i Beogradit ndaj serbëve në hapësirën e Kosovës, do të jetë i balancuar, gjegjësisht Beogradi do të kujdeset në mënyrë të barabartë për serbët e të dyja anëve të Ibrit”,
deklaron Nojkiq.

Ekzistojnë mjaft zëra që thonë se bisedimet eventuale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të fillojnë deri në fund të këtij viti, por gjithashtu ekzistojnë dyshime se kontakte dhe bisedime ndërmjet dy palëve ka pasur edhe më herët, thonë të dy këta politikanë serbë.

Rada Trajkoviq shpreh bindjen se bisedime, siç i quan ajo, të fshehta, kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin. Ndërkaq, sipas saj, politikanët shqiptarë dhe serbë e kanë të vështirë që të gjejnë kohë të përshtatshme për bisedime të hapura.

“Për elitën tonë politike, qoftë atë të Beogradit apo atë të Prishtinës, asnjë kohë nuk është e volitshme, të paktën jo për bisedime transparente. Bisedime dhe kontakte të fshehta, gjithsesi që ka. Por, unë mendoj se kjo nuk është mirë”.

“Ata në vazhdimësi kanë komunikim, i cili ndonjëherë zhvillohet në nivelin e këshilltarëve. Por, opinioni nuk do të befasohej edhe nëse kanë pasur biseda të drejtpërdrejta, posaçërisht diku në rrugë në Mal të Zi”, thotë Trajkoviq.

Sipas saj, mu për këtë arsye, bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash, duhet të kërkojë agjendën e çështjeve me interes nga ana e Prishtinës dhe Beogradit dhe ajo të jetë moderatore, e cila do të përcaktonte prioritetet, dinamikën dhe fillimin e këtyre bisedimeve.

Edhe Rangjell Nojkiq thotë se bisedime në mes të zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit ka pasur dhe vazhdon të ketë.
Unë nuk do t’i quaja bisedime të fshehta, por me siguri se janë zhvilluar me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare.

“Besoj se bisedime ka pasur, por nuk e di se në çfarë niveli. Unë nuk do t’i quaja bisedime të fshehta, por me siguri se janë zhvilluar me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Bisedime të tilla kanë ekzistuar. Fundja, ju e dini se kanë ekzistuar mjaft çështje diskutabile, të cilat kanë qenë mjaft të rëndësishme për Beogradin dhe Prishtinën dhe thjesht u është vënë një lloj pike që këto çështje të mos zgjidhen dhe të mbeten për një zgjidhje të mëtutjeshme”.

“Kjo shumë qartë flet se ka ekzistuar një lloj mirëkuptimi ose pajtimi i qëndrimeve që të mos zgjidhen tash ato probleme, por të zgjidhen në mënyrë, të themi publike, gjegjësisht kur të fillojnë bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit”,
thotë Nojkiq.

Lexoni edhe këtë:
Serbët e Kosovës kërkojnë pjesëmarrje në bisedime