Japoni: Reaktori i tretë – pa ftohje

Pamje nga shpërthimi në Fukushima, të transmetuara nga televizioni...


Japonia ka kërkuar ekspertë nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që t'i ndihmojnë t'ia dalë mbanë me dëmin e shkaktuar nga tërmeti në centralin Fukushima.

Jukija Amano, shefi i agjencisë me seli në Vjenë, ka thënë se agjencia dhe Qeveria në Tokio po diskutojnë dërgimin e ekspertëve në Japoni.

Udhëheqësit e centralit atomik për prodhimin e rrymës elektrike, që ishte dëmtuar nga tërmeti masiv i së premtes dhe cunami në Japoni, kanë thënë se sistemi i ftohjes i reaktorit të tretë ka dështuar.

Më herët, dy reaktorët e tjerë në centralin atomik në Fukushima, kanë pasur probleme të njëjta, që janë përcjellë me eksplodime.

Pas eksplodimit në mëngjesin e së hënës, zyrtarët kan njoftuar se 11 vetë janë plagosur, por kontejneri bërthamë i reaktorit numër 3 nuk ishte dëmtuar.

Sekretari i kabinentit japonez, Yukio Edano, ka thënë të hënën se është dhënë një urdhër për evakuim.

“Eksplodimi besohet se ishte i llojit të njëjtë me atë në reaktorin numër 1. Ne kemi urdhëruar evakuimin e njerëzve, që jetojnë në rreze prej 20 kilometrash nga centrali dhe ne u kemi thënë njerëzve, që ishin në procesin e evakuimit, që të hyjnë brenda menjëherë”, ka thënë Yukio Edano.

Reaktori numër 1 ishte goditur nga shpërthimi të shtunën.

Të dielën, zyrtarët në centralin Fukushima, që është 240 kilometra në verilindje të Tokios, kanë thënë se niveli i rrezatimit ishte rritur mbi nivelin e sigurisë, por kjo nuk ishte “kërcënim i menjëhershëm” për shëndetin njerëzor.

Aeroplan-bartësi i Shteteve të Bashkuara, që është i vendosur afro 160 kilometra në verilindje të Fukushimës, kishte lëvizur tutje, pas zbulimit të rrezatimit të nivelit të ulët.

Mediat japoneze kanë raportojnë se 2 mijë trupa të pajetë janë gjetur të hënën në brigjet e prefekturës Mijagji, që më së shumti është goditur nga cunami.

Ka shqetësime se nga tërmeti i së premtes në Japoni, kanë humbur jetën afro 10 mijë njerëz.

Kryeministri Naoto Kan, ka vlerësuar se kjo ishte kriza më e madhe në Japoni, pas Luftës së Dytë Botërore.

Banka e Japonisë sot e ka futur një shumë rekorde prej 180 miliardë dollarësh në sistemin bankar, për t’i zbutur brengat lidhur me gjendjen e ekonomisë së tretë më të madhe në botë, pas tërmetit. (f.b.)


Your browser doesn’t support HTML5

Eksplodim i ri në centralin atomik në Japoni