Forcat e KTK-së të gatshme për sulm në Bani Valid

Këshilli Tranzicional Kombëtar (KTK) i Libisë, që praktikisht është qeveri e përkohshme e këtij vendi, thotë se kanë dështuar negociatat me luftëtarët lojalistë ndaj sunduesit të përmbysur, Muamer Gadafi, në qytetin Bani Valid, që është selia e fundit e tyre.

Abudallah Kanshil, shefi i negociatorëve të Këshillit Tranzicional Kombëtar, thotë se bisedimet me liderët fisnorë në këtë qytet, përfunduan të dielën dhe se nuk do të vazhdojmë.

Ja se çka u përgjigj Kanshil në pyetjen e gazetarëve lidhur me negociata:

Nuk kam asgjë për t’ju ofruar në këtë moment dhe shpresoj se këto brigada në Bani Valid do të largohen së shpejti”, tha Kanshil.

Mijëra luftëtarë kundër Gadafit e kanë rrethuar qytetin Bani Valid, ku raportohet se gjendet njëri nga djemtë e Gadafit.

Herët në mëngjes, forcat kundër Gadafit kanë avancuar në pozitat 15 kilometra larg qytetit Bani Valid, kështu që qendra e qytetit mund të arrihej me artilerinë e tyre të rëndë.

Civilët që largoheshin nga ky qytet thoshin se shumica e forcave të Gadafit ishin larguar, duke e marrë me vete armatimin e rëndë dhe ishin vendosur në një terren kodrinor të afërt. Por, këto raporte nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, qyteti mbetet bazë e forcave për Gadafin, që janë ende aty.

Shefi i negociatorëve të Këshillit Tranzicional Kombëtar, Abdullah Kanshil, tha se mendohej se vetë Gadafi dhe pjesa më e madhe e familjes së tij, ishin në qytetin Bani Valid, kohëve të fundit.

Por, ai nuk e ka specifikuar se kur Gadafi ishte në këtë qytet.

Musa Ibrahim, zëdhënës i Gadafit, ka thënë se liderët fisnorë, lojalë ndaj regjimit të mëparshëm në Bani Valid, nuk do të dorëzohen kurrë.

Një gjë mund t’ju siguroj: Bani Valid sështë qytet i madh, qytet ku janë të vendosura fiset më të mëdha në Libi, që e kanë shpallur besnikërinë ndaj liderit Gadafi dhe ata kanë refuzuar të gjitha qasjet për negociata me Këshillin Tranzicional”, tha Musa Ibrahim.

Nga ana tjerët, Ahmed Bani, zëdhënës ushtarak i Këshillit Tranzicional Kombëtar, tha se tash duket i paevitueshëm një sulm i përgjithshëm ushtarak ndaj trupave të Gadafit dhe luftëtarëve fisnorë pro-Gadafit, në qytetin Bani Valid.

Dëshiroj ta konfirmoj për familjet tona dhe për komunitetin ndërkombëtar se Bani Valid do të çlirohet tërësisht, derisa luftëtarët tanë janë të vetëdijshme për detyrat e tyre”, tha zëdhënësi Ahmed.

Ali Saleh, pjesëtarë i luftëtarëve kundër Gadafit, thotë se njësia e tij po e pret urdhrin për nisjen e sulmit.

Situata është shumë e qetë. Ne po presim për vendim nga Këshilli Tranzicional Kombëtar, për të hyrë në Bani Valid, me dëshirë të Zotit.
Situata është shumë e qetë. Ne po presim për vendim nga Këshilli Tranzicional Kombëtar, për të hyrë në Bani Valid, me dëshirë të Zotit”, tha Ali Saleh.

Sad Gadafi, njëri nga djemtë e liderit të përmbysur, ka shpallur se është “neutral”, por thotë se është “i gatshëm për të ndihmuar arritjen e armëpushimit me negociata”.

Për dështimin e negociatave gjatë fundjavës, ai e ka fajësuar fjalimin “agresiv” të vëllait të tij, Saif al-Islam, të transmetuar javën e kaluar.

Saif al-Islam dhe babai i tij, Muamer Gadafi, janë të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, gjatë kryengritjes gjashtë mujore në Libi, kundër regjimit të Muamer Gadafit. (f. b.)