Vetëvendosje do t'i bllokojë pikat kufitare

Merdar

Moszbatimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë nga Qeveria, ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje të vendosë bllokimin e dy pikave kufitare me Serbinë, thanë përfaqësues të kësaj lëvizjeje.

Edhe pse zyrtarët kosovarë kanë thënë se janë duke e zbatuar reciprocitetin ndaj Serbisë, iniciuesi i mocionit për këtë reciprocitet në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, vlerëson se nuk është bërë një gjë e tillë.

Në një konferencë për media, të mbajtur të enjten, aktivistët e Vetëvendosjes thanë se më 14 janar do të bllokojnë pikën kufitare në Merdar dhe atë te Dheu i Bardhë.

Deputeti Visar Ymeri, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se afati që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë ka kaluar dhe se Qeveria nuk ka filluar zbatimin.

Visar Ymeri

“Ajo, përveç që nuk e ka zbatuar, tashmë e ka bërë të qartë se nuk do ta zbatojë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, po vazhdon të thotë se jemi në kushte të reciprocitetit, po thotë që një reciprocitet ajo ka filluar ta zbatojë tash e sa kohë. Kjo i bie që Qeveria, në njërën anë po vazhdon të injorojë organin më të lartë vendimmarrës politik në vend dhe, në anën tjetër, po vazhdon ta gënjejë popullin për çështjen e reciprocitetit”, tha Ymeri.

Aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 janar, i cili parasheh bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, sipas Visar Ymerit, do t’i pamundësojë Serbisë hyrjen në territorin e Kosovës.

“Ky bllokim, po ashtu, ia ndalon Serbisë ta kalojë kufirin me Kosovën. Aksioni ynë e shndërron kufirin nga një pikë kalimi, siç po e trajton Serbia, si vijë administrative në një kufi shtetëror dhe ia pamundëson Serbisë hyrjen në territorin tonë. Ne duhet ta bllokojmë Serbinë, sepse ajo po na bllokon dhe po na lufton çdo ditë”, theksoi Ymeri.

Në anën tjetër, Dardan Molliqaj, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në shtetet ku republika dëmtohet rëndë nga Qeveria, siç është rasti i Kosovës, veprimi më i drejtë është angazhimi i qytetarëve për mbrojtje të Republikës.

“Komfor të gjitha zhvillimeve që po ndodhin në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që me datën 14 janar, të dalin në bllokadë, në mbrojtje të republikës, në mbrojtje të prodhimit të vendit duke bllokuar Serbinë në pikat kufitare në Merdar dhe te Dheu i bardhë. Pra, më 14 janar, Serbia nuk kalon”, u shpreh Dardan Molliqaj.

Mocioni për masa reciprociteti me Serbinë, i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte votuar edhe nga dy partitë tjera opozitare - Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - si dhe disa deputetë të partive në pushtet, të cilët më pas kanë deklaruar se do t’i tërheqin votat.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar të enjten se Qeveria nuk dëshiron të shohë barrikada në asnjë vend të vendit.