Fuqizimi i gruas në vendimmarrje

Ilustrim

Edhe pse Ligji për barazi gjinore, siguron që 40 për qind e grave të kenë pozita në ekzekutiv, një gjë e tillë nuk ndodh në praktikë. Në tryezën e organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, OSBE, për fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje, thuhet se numri i grave që kanë ndikim në vendimmarrje, nuk është në nivelin e dëshiruar, por që dita-ditës po rritet.

Teuta Sahatçija, nga grupi i grave deputete, deklaron se me këtë çështje duhet të merret e gjithë shoqëria, në mënyrë që të ketë lëvizje edhe më pozitive.

“Ne, në grupin e grave deputete, jemi shumë të përkushtuara. Ne e dimë që ekziston një kuotë në Parlamentin e Kosovës dhe në komuna. Kuota nuk ka krijuar menjëherë një fuqizim të gruas, por ka krijuar një masë kritike të mjaftueshme, që të nisë këtë proces të fuqizimit të gruas në vendimmarrje”.

“Në vitin 2004 në Parlament patën 34 gra, në vitin 2007 numri i tyre u bë 36.
Në zgjedhjet e 2010-s për herë të parë kemi pasur 40 gra në Parlamentin e Kosovës.
Nëse e shohim me matematikë, 50 për qind është rritur numri i gruas në Parlament përmes votimeve të lira të qytetarëve”
, thotë deputetja Sahatçija.

Ndërkaq, Edona Hajrullahu, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në zyrën e Kryeministrit, deklaron se vendimmarrja nga gratë, nuk është diçka shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, por që në zyrën ku ajo punon, thotë se janë të përkushtuar që femra ta shpreh sa më shumë potencialin e saj në të gjitha fushat. Ajo shton se duhet të punohet sa më shumë në këtë drejtim.

“Ne, si institucion ekzekutiv, jemi të përkushtuar që femra sa më shumë ta shpreh se potencialin e saj në të gjitha fushat. Vitin e kaluar Agjencia për Barazi Gjinore ka dalë me një hulumtim ku 58 për qind e grave janë të punësuara në sektorin publik. Sa i përket vendimmarrjes, nga viti në vit po shohim që 40 përqindëshi nuk po implementohet, por nuk është dëshpëruese”.

“Në vitin 2008, 10.66 për qind kanë qenë gra në nivelin drejtues. Derisa në vitin 2011 niveli drejtues ka qenë 13 për qind. Nuk është ndonjë përparim shumë i madh, por jo edhe për t’u hedhur poshtë, meqë po shihen përparime”,
bën të ditur Hajrullahu.

Derisa deputetja Sahatçija deklaron se fuqizimi i gruas në vendimmarrje është një projekt gjithëpërfshirës, andaj ajo apelon për angazhimin e gjithë shoqërisë.

“Fuqizimi i gruas në vendimmarrje është një temë shumë e gjerë dhe nuk mund të përkufizohet me një fushë, me një institucion. Është projekt shumëdimensional, në mënyrë që të mos kemi humbje të energjisë, dhe që kërkon angazhim, si nga politika universiteti, media, edukimi”, shprehet Sahatçija.

Ajo shton se vendimmarrja e gruas është një vazhdim i punës së palodhshme të grave prej gjeneratash.

“Fuqizimi i gruas në vendimmarrje nuk është zbulim yni, e as punë vetëm e jona. Për këtë kanë punuar edhe gjeneratat para nesh, e që ka qenë shumë më e vështirë, duke u ballafaquar me stereotipet e kohës. Falë punës së palodhshme të këtyre grave, ne sot kemi ligje, grupet e grave deputete, e kështu me radhë”, shton Sahatçija.

Ndryshe, barazia gjinore është përcaktuar si një parakusht për integrime evropiane dhe si e tillë është në Plan të Veprimit për partneritet evropian.