Obama: Siria të mos përdorë armatim kimik

Barak Obama

Presidenti amerikan, Barak Obama, i ka tërhequr vërejtjen presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, që të mos bëjë “gabim tragjik”, duke e përdorë armatimin kimik.

Sot ne, po ashtu, po punojmë që populli i Sirisë nëpërmjet tranzicionit të ketë ardhmëri më të mirë, i lirë nga regjimi i Asadit. Duke pasur parasysh rezervat e armatimit kimik, ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë për Asadin dhe ata rreth tij, se bota po i shikon dhe se ata do të mbahen përgjegjës nga komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara, nëse ata bëjnë gabim tragjik, duke i përdorë këto armatime”, tha Barak Obama, duke folur mbrëmë vonë para veteranëve të luftës në Nevada, gjatë një fjalimi në kuadër të fushatës zgjedhore.

Damasku ishte kërcënuar se do ta përdorë armatimin kimik kundër çfarëdo intervenimi të jashtëm në Siri, megjithqë ka premtuar se nuk do ta përdorë këtë lloj të armatimit kundër civilëve të vet.

Megjithatë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Sirisë, Xhihad Makdisi, në një konferencë për shtyp në Damask, tha se arsenali i armatimit kimik të Sirisë është i mbrojtur mirë nga ushtria, përkundër luftës civile, që e ka përfshirë këtë vend.

Çfarëdo armatimi për shkatërrim në masë ose çfarëdo armatimi jokonvencional, që e posedon Republika Arabe e Sirisë, kurrë nuk do të përdoret kundër civilëve ose kundër popullit të Sirisë gjatë kësaj krize nën asnjë rrethanë, pavarësisht se si kriza do të evoluojë”.

Qeveria e Sirisë kurrë më parë në mënyrë zyrtare nuk e ka konfirmuar se ka armatim kimik. Por, dezertorët e regjimit i kanë theksuar raportet e pakonfirmuara që sugjerojnë se ushtria e Sirisë tashmë e kishte përdorë armatimin kimik në goditjen e përgjakshme kundër kryengritësve.

Sekretari i jashtëm britanik, Uillijem Hejg, tha se komentet e zëdhënësit të ministrisë së jashtme të Sirisë, reflektojnë iluzionin e regjimit të Sirisë se është viktimë e agresionit të jashtëm.

“Ky është krejtësisht iluzion i këtij regjimi se ata janë viktima të agresionit të jashtëm. Ajo që aktualisht po ndodhë është se vetë populli i tyre po ngritet kundër brutalitetit të shtetit policor”, tha Uillijem Hejg.

Rusia dhe Kina në mënyrë të vazhdueshme i kanë bllokuar me veto përpjekjet nga anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për miratimin e rezolutave, që japin mandat për intervenim ushtarak ndërkombëtar në Siri.

Zëdhënësi sirian Xhihad Makdisi tha, po ashtu, se Damasku e refuzon ofertën e Ligës Arabe për “dalje të sigurt” të presidentit Asad dhe familjes së tij, nëse ai tërhiqet.

Makdisi pretendoi se situata në Damask po përmirësohet dhe se do të normalizohet brenda disa ditëve.

Aktivistët opozitarë thonë se forcat e Sirisë kanë ndërhyrë në disa lagje të Damaskut, ndërsa raportohet se në qytetin Alepo, përleshjet ndërmjet trupave qeveritare dhe kryengritësve kanë vazhduar.

Vëzhgimi sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, thotë se më se 19 mijë njerëz janë vrarë prej fillimit të kryengritjes kundër regjimit të Asadit, në mars të vitit të kaluar. (f. b.)