Nikolliq do bisedime të shpejta me Kosovën, por pa e njohur atë

Tomisllav Nikolliq

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka deklaruar se vetë e ka shkruar platformën për bisedimet me Kosovën dhe se tani radhën e kanë ministrat për të dhënë sugjerime dhe vërejtje.

“Dua që shumë shpjet të fillojmë bisedimet me shqiptarët dhe kjo gjë është paralajmëruar me takimin e kryeministrave Daçiq e Thaçi në Bruksel. Është mirë që ka ndodhur takimi. Nuk duhet të hamendemi, është fjala për ‘statusin e Kosovës’”, u ka thënë Nikolliq gazetarëve në Shkup, ku po qëndron për vizitë zyrtare.

Duke u përgjigjur për detajet e platformës, Nikolliq ka thënë se vetë dokumenti është sekret shtetëror, porse pavarësia e Kosovës është e papranueshme dhe se duhet gjetur modelin, i cili tashmë ekziston në shtetet evropiane dhe i cili do t’i kënaqte të dyja palët.

Ai ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk duhet të kushtëzohet me çështjen e Kosovës dhe se ky pozicion “është absolutisht i pamundshëm dhe i papranueshëm ".

Po qe se dikush në BE insiston që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, kjo do të thoshte se ai ende nuk e do Serbinë anëtare të BE-së, ka thënë Nikolliq.

“Serbia kurrë nuk do ta shohë Kosovën si shtet dhe në 100 vjetët a ardhshëm nuk do të lindë ai njeri, i cili mund të fitojë zgjedhjet në Serbi dhe të pranojë më pas pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Nikolliq.

Diplomatët evropianë i kanë kërkuar Serbisë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën si kusht për të avancuar drejt bllokut 27-anëtarësh.(v.t.)