Beogradi e cilëson privatizimin e PTK-së si "të paligjshëm"

Ilustrim

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka kundërshtuar sot privatizimin e 75 për qind të Postës dhe Telekomit të Kosovës, duke e cilësuar këtë akt si “të paligjshëm”, meqë objektet, siç thuhet, janë pronë e Telekomit të Serbisë.

Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës ka shpallur javën e kaluar ofertën financiare të kompanisë gjermane "AXOS- capital”, në konsorcium me “ Najafi Companies LLC" , dhe me partnerët e saj, si më të mirë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, pasi ofroi 277 milionë euro.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se “do të njoftojë opinionin ndërkombëtar për këtë uzurpim të paligjshëm të pronës shtetërore dhe private të shtetit të Serbisë”, duke kërcënuar autoritetet në Kosovë edhe me pasoja ligjore.

Ndryshe, Ambasadat e Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë, në Kosovë, e kanë mbështetur privatizimin e PTK-së.

Nëpërmjet një kumtese për media, të martën këto tri ambasada kanë theksuar se “me miratimin nga qeveria të ofertës së Axos Consortium për Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), Kosova ka bërë sot një hap të rëndësishëm drejt forcimit të zhvillimit ekonomik”.