Siri: Kryengritësit e marrin kontrollin ndaj hapësirave alavite

Pamje nga luftimet në Siri

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, thotë se kryengritësit në Siri e kanë marrë kontrollin ndaj disa hapësirave, popullata e të cilave është lojale ndaj presidentit Bashar al-Assad.

Sipas këtij grupi, kryengritësit e kanë marrë kontrollin ndaj disa fshatrave në provincën qendrore Hama, të banuara kryesisht me popullatë alavie, sektë shiite, së cilës i takon edhe presidenti Assad.

Avancimi i kryengritësve, shumica prej të cilëve janë myslimanë sunitë, ka shkaktuar largim masiv nga disa fshatra.

Në këto hapësira, kohëve të fundit janë parë luftime të ashpra ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve.

Nga ana tjetër, mediat shtetërore siriane kanë raportuar për një ofensivë të madhe qeveritare kundër hapësirave kryengritëse afër kryeqytetit Damask.

Sipas raporteve, trupat i kanë shkatërruar bazat e kryengritësve, ku prodhohej eksploziv. Me këtë rast, u tha se janë vrarë disa “terroristë të jashtëm”, siç i quan qeveria kryengritësit në Siri.