Talibanët pakistanezë zgjedhin udhëheqësin e ri

Khan Said

Talibanët pakistanezë kanë emëruar një lider të ri të lëvizjes islamike, pas vrasjes së Hakimullah Mehsudit në një sulm të telekomanduar të Shteteve të Bashkuara.

Radio Mashaal raporton se Khan Said, i njohur si Sajna, është zgjedhur udhëheqës i grupit Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP).

Komandantët talibanë kanë thënë se udhëheqja e TTP-së ka zgjedhur Saidin në një takim që është mbajtur të shtunën, në një lokacion të fshehtë të Vaziristanit Verior.
Said, i cili besohet se është 36 vjeç, është komandant i militantëve talibanë në qarkun fisnor të Vaziristanit Jugor.

Ai thuhet se ka organizuar një sulm në një burg të Pakistanit, i cili ka liruar afro 400 të burgosur në vitin 2012, si dhe një sulm në një bazë ushtarake në Karaçi, më 2011.

Said ka qenë në mesin e katër kandidatëve që janë shqyrtuar nga Këshilli Taliban, për të zëvendësuar Mehsudin.

Talibanët dhe burimet e inteligjencës kanë thënë se Mehsud është vrarë të premten, së bashku me katër persona të tjerë në rajonin e Vaziristanit Verior.

Raportet, megjithatë, nuk janë konfirmar as nga Qeveria e Pakistanit, as nga ajo e Shteteve të Bashkuara.

Caitlin Hayden, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-së, nuk e ka komentuar përfshirjen e Uashingtonit në sulm e as nuk e ka konfirmuar vrasjen, por ka thënë se nëse është e vërtetë, ajo është një humbje serioze për grupin.

Duke mos komentuar vdekjen e Mehsudit, Qeveria pakistaneze ka thënë se dënon sulmin e telekomanduar, pasi e cilëson si shkelje të sovranitetit të Pakistanit.
Mehsud është deklaruar i vrarë disa herë më parë.

Ai ka marrë udhëheqjen e talibanëve pakistanezë në gusht të vitit 2009, pasi një sulm i telekomanduar ka vrarë liderin e mëparshëm.

Vrasja e tij mund të komplikojë përpjekjet e Qeverisë pakistaneze që të negociojë një marrëveshje të paqes me militantët.

Ministri i Informacionit, Pervez Rasheed, ka shfaqur bindjen se vdekja e Mehsudit nuk do të ndikojë procesin.

Vetë Mehsud, në një nga intervistat e tij të fundit, ka thënë se është i gatshëm për “bisedime serioze” me Qeverinë e Islamabadit.

“Ne besojmë në bisedime serioze, por qeveria nuk ka ndërmarrë hapa. Qeveria duhet të ulet me ne dhe pastaj ne do të paraqesim kushtet tona", i ka thënë ai BBC-së.

Qeveria e Pakistanit ka shtuar forcat e sigurisë në qytetet kryesore dhe në zonat fisnore, nga frika e sulmeve hakmarrëse nga talibanët.

Talibanët pakistanezë kanë vrarë mijëra njerëz në luftën e tyre kundër shtetit të Pakistanit.

Ata kontrollojnë zonat në pjesën veriperëndimore dhe janë fajësuar për disa sulme vetëvrasëse dhe të tjera.(v.tela)