Aksidenti në Rudare, mbi 30 të lënduar

Foto nga arkivi

Mbi 30 persona janë lënduar në aksidentin, i cili ka ndodhur të shtunën rreth orës 6 e 40 minuta, në Rudare të Kurshumlisë, me ç’rast autobusi, i cili po udhëtonte në relacionin Salsburg-Prishtinë, ka devijuar nga rruga dhe është rrokullisur.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, sipas mediave serbe, kanë theksuar se në këtë aksident askush nuk e ka humbur jetën, por ata ende nuk kanë precizuar numrin e saktë të të lënduarve. Në autobus, sipas autoriteteve serbe, kanë qenë 49 udhëtarë.

Në Spitalin e përgjithshëm të Prokupljes, në mëngjesin e së shtunës janë dërguar 35 udhëtarë të lënduar, në mesin e të cilëve edhe 15 fëmijë. Por, sipas zëdhënëses së këtij spitali, Marija Despotoviq, askush nga të lënduarit nuk e ka jetën në rrezik dhe se shumica kanë marrë lëndime të lehta trupore.

“Pacientët, kryesisht, kanë lëndime të lehta trupore. Një person me lëndime të rënda trupore, menjëherë është dërguar në Qendrën Klinike në Nish, në Kirurgjinë urgjente, për shkak të lëndimeve të brendshme në bark dhe gjoks. Ky është i vetmi person me rrezik për jetën”.

“Dy pacientë që janë pranuar në pavijonin e Ortopedisë, ka lëndime në unazat kurrizore. Do të thotë bëhet fjalë për lëndime të rënda. Dy pacientë të tjerë, që janë pranuar në shok-dhomë, në pavijonin e kirurgjisë, gjithashtu kanë lëndime të rënda, në kuptimin e thyerjeve në gjoks dhe brinjë. Personat tjerë kanë lëndime të lehta, përfshirë edhe fëmijët dhe nuk janë në rrezik jete”, ka thënë Despotoviq.

Në anën tjetër, autobusi i aksidentuar është pronë e agjencisë për udhëtim “Zhitia Turs” nga Podujeva. Përfaqësuesi i kësaj agjencie, i cili u prezantua me inicialet A. B. i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende nuk kanë marrë ndonjë të dhënë zyrtare se si ka ndodhur aksidenti..

“Se si ka ardhur deri te aksidenti, nuk e dimë saktësisht. Të gjithë punëtorët tanë janë në Serbi për momentin. Nuk kemi mundur të kontaktojmë që ta dimë se pse ose si ka ndodhur. Nuk dimë numrin e saktë të udhëtarëve, por 25 deri 28 prej tyre janë për momentin në Serbi, në spital. Tash i kanë liruar prej spitalit të Serbisë 15 vetë dhe edhe pak na kanë mbetur atje. Një e kemi pak më rënd, por në rrezik për jetë nuk e kemi asnjë udhëtar”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë deklaruar se e kanë marrë informacionin për aksidentin në Rudare. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Policia e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë mbështetje lidhur me rastin që ka ndodhur në Rudare.

“Policia e Kosovës e posedon si informacion dhe për këtë menjëherë ka adresuar kërkesë zyrtare, përmes kanaleve edhe ndërkombëtare, që të posedojë informata zyrtare lidhur me këtë rast. Njëkohësisht, ka shprehur gatishmërinë Policia e Kosovës që në çfarëdo aspekti, lidhur me rastin, të ofrojë mbështetje”, ka bërë të ditur Kelani.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se i ka dërguar njerëzit e saj në vendin e ngjarjes. Zëvendësministri në largim i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e Kosovës kanë shkuar për t’ju gjetur pranë qytetarëve të Kosovë, të cilët janë aksidentuar.

“Zyra ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd dhe zyrtarët e saj, janë në vend të ngjarjes duke e dhënë asistencën e parë dhe duke u ndërlidhur ashtu që të lehtësohen situatat e familjarëve atje”, ka theksuar Selimi.

Ndryshe, sipas përfaqësuesve të agjencisë së udhëtimit “Zhitia tours”, autobusi i aksidentuar në Rudare është një nga 5 autobusët e kësaj agjencie, të cilët njëkohësisht ishin duke ardhur nga vendet perëndimore në Kosovë. Të gjithë udhëtarët në autobusin e aksidentuar, sipas tyre, janë qytetarë të Kosovës.