Hackerspace - Një qendër kreative për të rinjtë

"Prishtina Hackerspace"

Altin Ukshini dhe Gent Thaçi, nga Shoqata për Softuer të Lirë dhe të Hapur (FLOSSK), thonë se rinia e Kosovës ka mungesë të aktiviteteve të programuara dhe të hapura për të gjithë, veçanërisht ato që vënë në dukje aftësitë dhe aktivitetet unike.

Kjo mungesë, ata i shtyu që të vijnë me një ide të re, e cila i nxit të kërkojnë një vend enkas për të krijuar një hapësirë, e cila do t'i mblidhte të rinjtë në të, dhe ata do të mund t'i ndanin idetë e tyre mes vete.

Kjo hapësirë, mban emrin Prishtina Hackerspace dhe për qëllim ka inkurajimin e mësimeve pas shkollës, përmes punëtorive, seminareve dhe udhëzimeve të ndryshme.

"Prishtina Hackerspace është një projekt që e kemi filluar tash e tre muaj, jemi duke punuar në të. Ka filluar si projekt në kuadër të OJQ-së FLOSSK dhe ideja e projektit është që ne të ofrojmë një hapësirë eksperimentuese, për qëllime teknologjike, kulturore dhe artistike. Do të thotë, kjo hapësirë do të shfrytëzohet si hapësirë e hapur për komunitetin, një hapësirë bashkëpunuese, ku njerëz të rinj mund të vijnë së bashku aty dhe t'i shfrytëzojnë pajisjet pa pagesë, për zhvillimin e projekteve individuale apo grupore", thotë Altin Ukshini.

Sipas organizatorëve, nevoja për të pasur një hapësirë të tillë bëhet edhe më e nevojshme gjatë pushimeve të verës, kur sipas tyre, nuk është shumë i shpeshtë angazhimi i të rinjve në aktivitete edukative.

"Ideja e Hackerspace-it në fillim ka qenë që të krijohet një hapësirë për rininë e Kosovës, ku rinia mund të vijë dhe të bashkëpunojë me projekte, për shkak se Kosovës në përgjithësi i mungon një vend ku të rinjtë mund të shprehin idetë e tyre. Ne kemi pasur dëshirë të krijojmë një hapësirë ku secili mund ta gjejë veten dhe të tregojë idetë e veta", thotë Gent Thaçi.

Edhe pse në fazat e para të krijimit të tij, organizatorët janë të dedikuar që ta shtyjnë projektin përpara, në forma të ndryshme, përmes donacioneve, në mënyrë që të krijohet një fond i bollshëm, që hapësira të ketë jetëgjatësi së paku 2 vjet.

Përse Hackerspace?

Genti dhe Altini, thonë se termin hacker e përdorin në kuptimin historik të fjalës, që është "përdorimi kreativ të teknologjisë" dhe jo në kuptimin e "sulmit kibernetik".

Hackerspace tashmë është një lëvizje në rritje, e cila është zhvilluar nëpër gjithë botën, në të njëjtën frymë në të cilën po përpiqen ta bëjnë edhe në Kosovë.

Ato, nëpër botë, janë hapësira të operuara nga komuniteti dhe kryesisht janë të udhëhequra në mënyrë të pavarur.

Në kërkim të hapësirës

Në këtë projekt thuhet se me të hollat të cilat do të mblidhen, do të sigurohen mjete të ndryshme pune, për të arritur qëllimin e tij.

Por, para së gjithash, këtij organizimi i duhet një hapësirë, të cilën ende nuk e kanë. Këta të rinjë janë në kërkim të saj...

"Nga institucionet tona nuk kemi kërkuar, përveç Komunës së Prishtinës. Kemi qenë disa herë në takime me komunën, që të na e gjejnë një hapësirë, por fatkeqësisht nuk mund të bëhet asgjë nga ta, për arsye të disa ligjeve që nuk lejohen të jepen hapësirat publike në shfrytëzim”, shprehet Altin Ukshini, duke shtuar se shpresën më të madhe e mbajnë tek ambasadat e huaja në Kosovë.

Prishtina Hackerspace për momentin qëndron në një hapësirë të improvizuar, deri në gjetjen e një vendi të përhershëm.