Në klinikën gjinekologjike obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mesatarja e lindjeve në ditë është rreth 50 foshnje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.
Në njësinë e kujdesit intensiv, për një vit trajtohen nga rreth 3 mijë fëmijë, derisa 1,100 fëmijë lindin para kohe, të cilët kanë nevojë për kujdes.
Ndërkaq, vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është e lartë, por krahasuar me vitet paraprake, ka shënuar rënie.
Në vitin 2000 ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, derisa 12 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 17 vdekje në 1 mijë lindje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.
Merita Vuthaj, zyrtare për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në të dhënat e raportuara nga institucionet shëndetësore, gjatë vitit 2013, kanë lindur rreth 28 mijë foshnje.
Zonja Vuthaj bën krahasimin me vitet paraprake duke shpjeguar rënien e natalitetit në Kosovë.
"Bazuar në të dhënat e raportuara nga institucionet shëndetësore janë raportuar rreth 28 mijë lindje në vitin 2013. Pra, krahasuar viti 2013 me atë 2012, shihet se është shënuar një rënie e numrit të të lindurve përreth 1.062 lindje më pak. Gjatë 13 vjetëve vërehet një rënie rapide e lindjeve, ndërmjet viteve 2001 dhe 2003 përreth 5 mijë lindje, ku mandej rënia vazhdon me rënie më të vogla, por në mënyrë të qëndrueshme deri në vitin 2012, derisa në vitin 2013 rënia e lindjeve është më e theksuar dhe po shënon rënie për rreth 1,062 lindje", bën të ditur Vuthaj.
Ndërkaq, zyrtarë nga Organizata Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se në bazë të hulumtimeve të bëra janë vërejtur rënie të vazhdueshme të natalitetit.
Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në OBSH, thotë se rënia e natalitetit interpretohet me rritje të vetëdijesimit për kontrollim të natalitetit.
"Zyra e OBSH-së në Prishtinë, përmes përcjelljes së vazhdueshme të raporteve të situatës pre-natale në Kosovë ka vërejtur një rënie të vazhdueshme të natalitetit. Nuk kemi ndonjë studim që do të fliste për arsyet e kësaj rënie, por jemi të prirë që ta interpretojmë atë me një rritje të vetëdijesimit të popullatës për përdorimin e kontracepsionit, për lidhshmërinë mes zhvillimit ekonomik dhe natalitetit të kontrolluar, si dhe ngritjes së vetëdijes së vetë çifteve për kufizimin e lindjeve dhe planifikimit të lindjeve", thekson Uka.
Ndryshe, zonja Vuthaj thotë se disa maternitete të Kosovës nuk i raportojnë Ministrisë së Shëndetësisë, andaj në këto shifra nuk përfshihen vendet që ajo përmend.
"Në këtë shifër nuk përfshihen lindjet nga materniteti i Graçanicës dhe Mitrovicës veriore, pasi që nuk janë raportuar lindjet për vitin 2013 nga këto maternitete".
Sidoqoftë sipas raporteve të bëra nga Radio Evropa e Lirë, ku janë marrë shifrat zyrtare nga Ministria e Arsimit se sa fëmijë kanë filluar klasën e parë ndër vite, del se në vitin 2012, mbi 36 mijë nxënës janë regjistruar në klasën e parë.
Në vitin 2013 klasën e parë e kanë filluar 29 mijë nxënës, derisa këtë vit për herë të parë në klasën e parë janë regjistruar 27 mijë fëmijë.
Këto shifra flasin se nataliteti në Kosovë çdo vit po shënon rënie.