Pasi Conchita e fitoi Eurovizionin e vitit të kaluar, ministri i Kulturës së Rusisë, kishte vështirësi që paraqitjen e saj t’ua shpjegonte fëmijëve të tij, derisa zëvendëskryeministri, Dmitry Rogozin, me ironi kishte thënë se Conchita iu shpërfaqë “të ardhmen e tyre evropiane, përkrahësve të integrimit evropian: një vajzë me mjekërr”.
Këtë vit, udhëheqësi i Kishës Ortodokse ruse është përfshirë në një diskutim kombëtar duke paralajmëruar që nëse kënga ruse fiton sivjet, “të gjithë këngëtaret me mjekrra” që “imponojnë atë që është e neveritshme për kulturën tonë” do të vijnë në Rusi për Eurovizionin e vitit të ardhshëm.
Kisha Ortodokse ruse është bërë shtyllë e fuqishme e udhëheqjes së presidentit rus, Vladimir Putin, duke e promovuar vetën kundër vlerave perëndimore.
Në Vjenë, sivjet po mbahet festivali i këngës evropiane pasi Austria e fitoi Eurovizionin e vitit të kaluar në Danimarkë përmes këngës së Wurst, që në fakt është emri artistik i homoseksualit 26 vjeçar, Thomas Neuwirth.
Conchita do jetë një nga bashkëudhëheqeset e finales së madhe të Eurovizionit, të shtunën.
Fitorja e saj u bë rreth një vit pasi Rusia futi në zbatim ligjet e dënuara nga qeveritë perëndimore dhe grupet e të drejtave si diskriminuese drejt individëve LGBT.
Wurst, sërish ka nxitur talljet me të, por edhe përkrahje në Rusi, pasi këngëtarja që e përfaqëson Rusinë sivjet, Polina Gagarina, e ka publikuar një video në profilin e saj në Instagram duke shkëmbyer puthje me këngëtaren austriake.
Deputeti i njohur rus nga Shën Petersburgu dhe aktivisti kundër homoseksualve, Vitaly Milonov, më 19 maj ka thënë se Gagarina nuk ka të drejtë të flas në emër të Rusisë.
“As mos guxo që ta njollosësh Rusinë duke përqafuar njerëzit e çoroditur të Evropës”, ka thënë Milonov, që është edhe autori i ligjeve kontraverse kundër “propagandimit të marrëdhënieve jo tradicionale seksuale” para të miturve.
Të jesh Vladimir Putin
Wurst ka shkaktuar zemërim të ri në blogosferën ruse, pasi gjatë këtij muaji e kishte publikuar një postim në rusisht në Facebook ku falenderonte “të gjithë adhuruesit rusishtfolës për përkrahjen e tyre të pandalshme”.
Rrjeti televiziv që e përkrah Kremlinin, NTV, ka raportuar për disa prej reagimeve në atë postim, përfshirë edhe atë ku një person bënte thirrje që Wurst të “digjej për së gjalli”.
Një tjetër komentues kishte shkruar: “Kush e la këtë monstër në skenë? Ka po shkon Evropa? Zot i madh, njerëz, kthehuni normales”.
Megjithatë, jo të gjitha komentet ishin negative.
“Të falemnderit, Conchita”, ka shkruar një nga përdoruesit e Facebook-it, “veçanërisht për komente të tilla aq gazmore”.
Bile edhe Kremlini është përfshirë në debatet e nxehta rreth Conchitës.
Gjatë një prej prezantimeve të albumit të saj të bërë më 21 maj, Wurst ka thënë se ajo do të “donte shumë që ta kalojë një javë” me Putinin që ta kuptojë më mirë dmoëthënien e të “qenët Putin”.
I pyetur se çfarë mendon për këtë propozim, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov iu ka thënë gazetarëve në Moskë: “Nuk mendoj asgjë rreth kësaj”.
“Le të kërcejnë dhe këndojnë”
Një politikan rus që megjithatë duket se ka ndryshuar qëndrim rreth Wurstit është Vladimir Zhirinovsky, lideri i Partisë Nacionaliste Liberal Demokrate.
Vitin e kaluar, Zhirinovsky e kishte quajtur fitoren e Wurstit si “fundin e Evropës”, e cila sipas tij është bërë “e egër”.
Mirëpo, kësaj radhe, më sakt më 20 maj ai e mbrojti atë pasi deputeti tjetër, Oleg Nilov, në dhomën e ulët të parlamentit rus, Dumës Shtetërore, kishte thënë “monstrumi me mjekërr, Conchita do mbush ekranet televizive dhe gazetat gjatë tërë javës”.
"Në rregull, fjala është për një këngëtar-këngëtare austriake me mjekërr dhe mustaqe: Çfarë dallimi ka kjo për ty? Ne duhet të bëhemi më të butë. E gjithë Evropa kënaqet me këtë, dhe si arinj rusë, ne e refuzojmë këtë gjë. Le të këndojnë dhe vallëzojë. Njerëzit do vendosin me votat e tyre, prandaj të mos nxisim urrejtje. Të gjithë minoritetet meritojnë respekt”.