Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka shpallur të mërkurën aktgjykimin për rastet e njohura si Drenica I dhe Drenica II.
Në rastin e parë, aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Likoc, ku, siç thuhej, ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare, ndërmjet muajve qershor dhe shtator 1998.
Gjyqtarët kanë vendosur se i pandehuri Sami Lushtaku është fajtor për veprën penale vrasje dhe është dënuar me 12 vjet burgim.
Gjyqtarët po ashtu kanë vendosur se i pandehuri Sylejman Selimi është fajtor’ për veprën penale krime të luftës dhe është dënuar me gjashtë vjet burgim.
“Të gjithë të pandehurit tjerë u liruan nga akuzat, pasi pretendimet kundër tyre nuk janë vërtetuar”, ka njoftuar misionin për suundim të ligjit në Kosovë, EULEX, duke shtuar se prokurori ka mirëpriur aktgjykimin dhe urdhrin e gjykatës për paraburgimin e të pandehurve që janë shpallur fajtorë.
Në rastin Drenica II, aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të UÇK-së, ku thuhej se pjesëtarët e kësaj force kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile, duke ushtruar qëllimshëm dhunë, trajtim mizor, rrahje, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, të ndaluar në ambientet e ndalimit të UÇK-së në Likoc.
Të gjitha këto vepra pretendohej se kanë ndodhur në gusht dhe shtator të vitit 1998.
Trupi gjykues ka vendosur se të pandehurit në rastin Drenica 2: Sylejman Selimi, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi janë fajtorë për veprat penale trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës.
Trupi gjykues ka dënuar Selimin me shtatë vjet, ndërsa të tjerët me nga gjashtë.
Ndërkaq, për veprën e keqtrajtimit të personave të ndaluar Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku janë dënuar të gjithë me tri vjet burgim.
“Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Isni Thaçi u shpallën fajtorë për pikën e akuzës ushtrim i dhunës, trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe u dënuan me dënime prej pesë dhe gjashtë vjetësh, të përmbledhura në një dënim të përgjithshëm prej shtatë vjetësh".
"Sylejman Selimi u shpall fajtor për pikën ushtrim i dhunës, trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe u dënua me dënime prej gjashtë dhe shtatë vjetësh, të përmbledhura në një dënim të përgjithshëm prej tetë vjetësh”, ka njoftuar EULEX-i.
Prokurori po ashtu ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës, duke përfshirë urdhrin për paraburgim. (v.t.)