Të dhënat e hulumtimit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), tregojnë se Qeveria e Maqedonisë, gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar, nga arka e shtetit ka derdhur rreth 6 milionë euro në llogarinë e mediave vendore, për realizimin e fushatave të ndryshme mediatike.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, ka kërkuar që qeveria menjëherë të ndërprejë publikimin e fushatave në mediat private, përderisa mungon një mekanizëm i qartë dhe efikas për llogaridhënie dhe përgjegjësi, për të kuptuar nëse institucionet publike mjetet i përdorin në mënyrë efikase dhe efektive.
“SHGM kërkon që fushatat mediatike të qeverisë të rregullohen me ligj, ku do ndalohej që institucionet publike të shpenzojnë mjetet për propagandë politike në media dhe qartë do të definohet interesi publik i qytetarëve. Procesi i shpalljes së fushatave do të jetë transparent në bazë të kritereve të qarta për shpërndarjen e tyre”, konsideron Selmani.
Sipas tij, do të jetë e pamundur gjetja e çfarëdo zgjidhjeje për kizën e krijuar politike në Maqedoni, pa u ofruar një zgjidhje konkrete edhe për çështjen e lirisë së mediave në vend.
Selmani konsideron se presioni financiar që ushtron qeveria ndaj mediave të caktuara, do të jetë një nga çështjet e cila do të vendoset në tavolinë.
“Unë jam i bindur se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë që të vazhdojë edhe më tej ky presion i qeverisë ndaj mediave. Patjetër duhet të bëhet një zgjidhje. Ne do të jemi aktivë në këtë proces, dhe do të ofrojmë disa alternativa të cilat do të jenë në kuadër të një sistemi politik, i cili ka karakter demokratik".
Nga ana tjetër, Zoran Dimitrovski redaktor i së përjavshmes "Fokus", konsideron se problemi qëndron në atë se çështjet ideologjike dhe interesat partiake kamuflohen nën ombrellën e interesit publik.
“Cilat janë parametrat në bazë të të cilave përcaktohet interesi publik gjatë realizimit të fushatave të caktuara, kjo mbase do të jetë një nga çështjet e cila do të duhet të shtohet? Kjo duhet të rregullohet në formë të qartë, që mos të kemi situata absurde që si interes publik të përcaktohet ndonjë çështje ideologjike, përshirë këtu dhe fushatën e qeverisë, e cila fliste për zgjerimin e familjes”, thekson Zoran Dimitrovski.
Ndërsa, Dragan Malinovski, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, konsideron se duhet të ndërpritet me shpenzimin e mjeteve nga buxheti i shtetit, të cilat nuk japin asnjë efekt.
“Shpenzimi i mjeteve të mëdha financiare pë fushata të ndryshme të qeverisë, aq më shumë kur efekti i tyre nuk është i përceptueshëm në opinion, paraqet problem në një situatë të vështirë ekonomike në të cilën ndodhet Maqedonia”, thekson Malinovski.