Në Vjenë të premten kanë vazhduar bisedimet ndërkombëtare të ministrave të jashtëm për përfundimin e konfliktit në Siri.
Irani, mbështetësi kryesor rajonal i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, po merr pjesë për të parën herë në një takim të tillë, së bashku me aleatin tjetër madhor sirian, Rusinë. Tashmë lufta në Siri po zgjatë më tepër se katër vjet e gjysmë.
Por, diplomatët nuk kanë shprehur ndonjë optimizëm për arritjen e ndonjë kthese të madhe në këto takime, që po vazhdojnë.
Moska dhe Teherani këmbëngulin se Assadi duhet të jetë pjesë e çfarëdo qeverie të tranzicionit, derisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet perëndimorë dhe ata në Gjirin Persik, dëshirojnë që lideri sirian të tërhiqet.
Në këtë kuadër ministri i jashtëm suadit, Adal al-Jubeir, është shprehur kategorik se Bashar al-Assadi duhet të shkoj.
“Ai do të shkojë gjatë një procesi politik ose do të shkarkohet me forcë, nuk ka dyshim se ai do të shkojë”, tha Al-Jubeir në një intervistë për rrjetin BBC.
Të enjten, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka mbajtur takime të ndara me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, dhe me ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Para një muaji Rusia e ka filluar fushatën e sulmeve ajrore kundër armiqve të qeverisë së Sirisë.
Më vonë, zoti Kerry është takuar me Lavrovin dhe ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Arabisë Saudite, para bisedimeve të sotme shumëpalëshe.
Këshilltari në Departamentin amerikan të shtetit, Tom Shannon, tha se Kerry po synon ta testojë se deri në çfarë mase Rusia dhe Irani janë të “përgatitur të punojnë gjërësisht me komunitetin ndërkombëtar” dhe ta bindin presidentin sirian, Bashar al-Assad, “se gjatë procesit politik të tranzicionit, ai duhet të shkoj”.
Po ashtu, zoti Shannon theksoi se Kerry dëshiron “të përcaktoj nëse ose jo përkushtimi i tyre publik për luftimin e militantëve të Shtetit Islamik dhe terrorizmit është kuptimplotë”.
Në bisedime përfshihen edhe zyrtarët e tjerë të lartë nga Gjermania, Franca, Britania, Italia, Iraku, Egjipti, Libani, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania.
Por, as opozita kryesore politike e Sirisë e as përfaqësuesit e opozitës së armatosur siriane, nuk janë ftuar të marrin pjesë në bisedimet e Vjenës.
Opozita e Sirisë e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e Iranit, duke thënë se Teherani vetëm do t’i komplikoj përpjekjet për hartimin e tranzicionit politik, që garanton largimin e Assadit.
Një lider brenda Armatës së Lirë të Sirisë, që lufton kundër forcvave lojale ndaj presidentitit, Bashar al-Assad, tha se mbështetja e Iranit për regjimin e Assadit e bënë Teheranin “pjesë të problemit e jo të zgjidhjes”.
Por, Rusia dhe Irani thonë se largimi i presidentit Assad nga presidenca nuk mund të jetë parakusht për zgjidhje politike.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Shtetet e Bashkuara mund të jenë mbështetës të luftëtarëve të moderuar opozitarë.
“Ne kemi indikuar se Shtetet e Bashkuara mund të jenë mbështetëse të përpjekjeve të disa luftëtarëve të moderuar opozitarë në terren brenda në Siri. Në fakt, kjo është pjesë qendrore e strategjisë sonë ushtarake brenda Sirisë".
"Meqë atje nuk ekziston qeveri qendrore, me të cilën ne në mënyrë efektive mund të koordinojmë, dhe rrjedhimisht nuk ka ushtri qendrore siriane, me të cilën ne mund të koordinojmë në mënyrë efektive, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të koalicionit, duhet të gjejnë luftëtarë të moderuar opozitarë të Sirisë, me të cilët ne mund të punojmë”, u tha gazetarëve Josh Earnest, duke folur lidhur me zhvillimet në Siri.
Zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha se Rusia dëshiron “zgjerim të dialgout” për Sirinë.
Në këtë kuadër ka folur edhe zëdhënësja e Ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova:
“Ne kemi thënë se është i domosdoshëm aktivizimi i gjithë potencialit të lojtarëve udhëheqës rajonalë dhe ndërkombëtarë, i të gjitha palëve, që janë të involvuara në njërën apo mënyrë tjetër dhe që mund të kontribuojnë në mënyrë pozitive dhe konstruktive”, tha Maria Zakharova, në Moskë.